Bota Rusia përkujton Ditën e Fitores (VIDEO)

Rusia përkujton Ditën e Fitores (VIDEO)

Me një paradë në të cilën marrin pjesë mbi 1 800 trupa, 60 mjete të rënda ushtarake dhe 21 aeroplanë në Vladivostok, Rusia përkujton sot 76-vjetorin e Ditës së Fitores.

Kolonat e automjeteve ushtarake kaluan në qendër të Moskës dhe përmes rrugës “Tverskaya” përpara paradës në Sheshin e Kuq.

Ajo që në Rusi përkujtohet si Dita e Fitores shënon triumfin e Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Parada tradicionale e Rusisë, një shfaqje patriotike e fuqisë ushtarake, këtë vit përkon me tensionet në rritje me Perëndimin.

Po ashtu, ajo përkon me vitin e zgjedhjeve parlamentare, të cilat mbahen në shtator. Aktualisht, sondazhet tregojnë rënien e mbështetjes për partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar.

Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin janë tensionuar muajt e fundit për shkak të burgosjes së kreut të opozitës, Aleksei Navalny, dhe konfliktit në Ukrainë. Kjo ka sjellë edhe dëbimin e diplomatëve respektivë të Rusisë në SHBA dhe anasjelltas, ndërsa “fërkime” të kësaj natyre ka pasur edhe me vende anëtare të BE-së.

Paradat ushtarake vijnë pasi Rusia vendosi kohët e fundit më shumë se 100 000 trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe në Krimenë e aneksuar. Kjo lëvizje shkaktoi shqetësim në kryeqytetet perëndimore lidhur me synimet e Moskës.