Kryesore “Rusia po rrit ndikimin në Shqipëri”; Kreu i SHISH paraqet në Kuvend...

“Rusia po rrit ndikimin në Shqipëri”; Kreu i SHISH paraqet në Kuvend raportin sekret

Kreu SHISH, Helidon Bendo, është shprehur i shqetësuar përpara anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, për përpjekjet për të rritur influencën ruse në Shqipëri.

Një burim i tha Top Channel se pjesë e asaj çfarë Helidon Bendo ka ndarë me deputetët ishte edhe shqetësimi për tentativat e Rusisë në rritjen e influencës në Shqipëri.

“Nga analiza e të dhënave për vitin 2018 vërejmë një rritje të tentativës nga Rusia për ta shtuar, influencën në vendin tonë”, është shprehur Bendo i cili nuk ka dhënë detaje të aktorëve që po përdor Moska për rritjen e kësaj influence.

Pikërisht për këtë çështje, disa prej anëtarëve të komisionit të sigurisë kombëtare kanë ngulmuar duke i drejtuar një mori me pyetje.

Ata e pyetën kreun e SHISH nëse influenca ruse shkon deri në nivele të larta të politikës shqiptare.

“Jo”, ka qenë përgjigja e Helidon Bendos, “nuk kemi informacione”.

Ndërsa deputeti Myslym Murrizi i ka drejtuar disa pyetje në lidhje me ekzistencën e një grupi oficerësh të korruptuar, në policinë e shtetit.

“Ne nuk mund të analizojmë veprime në grup por mbledhim informacion të personalizuar. Nuk na rezulton që në policinë e shtetit te ketë një grup oficerësh të korruptuar”, citohet të jetë përgjigjur Helidon Bendo.

Raporti vjetor i SHISH tashmë ndodhet mbi tavolinën e kryeministrit Rama dhe presidentit Meta./TCH