Bota Rusia, sulm Ukrainës në janar të 2022?

Rusia, sulm Ukrainës në janar të 2022?

Ushtritë e të dyja vendeve janë në gatishmëri. Rreth 100 mijë trupa qëndrojnë pranë kufirit të Rusisë, dhe thuajse po aq në frontin tjetër, atë të Ukrainës. Lojërat dimërore i ngjajnë një parapërgatitje për luftë. Një e tillë ka shumë gjasa të ndodhë në fund të janarit, të paktën kështu paralajmëron Kievi.

“Inteligjenca jonë analizon të gjitha skenarët, përfshirë edhe më të keqin. Ajo vëren se ekziston mundësia e një përshkallëzimi në shkallë të gjerë nga Rusia. Koha më e mundshme e arritjes së gatishmërinë për një përshkallëzim do të jetë fundi i janarit”, deklaroi ministri i Mbrojtjes i Ukrainës.

Ministri i Mbrojtjes shtoi se Ukraina nuk do të bëjë diçka që të provokojë situatën, por saktësoi se ushtria është e gatshme që të luftojë nëse Rusia lëshon ndonjë sulm.

“Ukraina është e interesuar për zgjidhje të konfliktit me skenarë diplomatikë dhe politikë. Nuk do të ketë provokime ushtarake nga ne. Në të njëjtën kohë, një mënyrë për të qetësuar agresorin nuk konsiderohet e mundur. Nëse nevojitet, Ukraina do të qëllojë pas”.

Ukraina dhe aleatët e tij të NATO-s kanë ngritur alarmin lidhur me lëvizjet e trupave të Rusisë pranë kufirit mes dyja shteteve këtë vit. Kjo ka shtuar frikën se konflikti në lindje të Ukrainës mund të shndërrohet në luftë.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se në Europë mund të përsëritet makthi i konfrontimeve të mëdha ushtarake, nëse NATO nuk heq dorë nga planet e zgjerimit drejt lindjes. Këtë ia bëri të qartë edhe sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken gjatë një takimi të veçantë në Stokholm.

Ndërsa Blinken e paralajmëroi se pasojat e një ndërhyrjeje ruse në Ukrainë do të jenë mjaft të rënda. Megjithatë, dy kryediplomatët shprehën angazhimin e plotë për një zgjidhje paqësore.