Bota Rusia zgjeron “influencën” e vaksinës, San Marino furnizohet me Sputnik V 

Rusia zgjeron “influencën” e vaksinës, San Marino furnizohet me Sputnik V 

Dështimi i BE-së në furnizimin me vaksinë i ka hapur terren Rusisë në zemër të Europës. Banorët e principatës së vogël të San Marinos do të vaksinohen me Sputnik V. Rusia do të dorëzojë sot dërgesën e saj, pasi qeveria italiane nuk ia doli ta bënte.

Moska këtë javë dërgoi 7 500 doza të vaksinës së saj Sputnik V në shtetin e vogël, raporton Politico.eu.

San Marino ka 35 000 banorë dhe është njëfarë enklave brenda Italisë – e cila deri tani ka vaksinuar rreth 4 për qind të popullsisë. Por deri të enjten, në San Marino nuk është bërë asnjë injeksion i vetëm imunizues.

Qeveria lokale kishte nënshkruar një marrëveshje me Romën për të marrë një pjesë të vaksinave të saj, një për çdo 1 700 të tilla që mbërrijnë në Itali, përmes sistemit të prokurimit të Bashkimit Evropian, por tha se duhej t’i drejtohej Federatës Ruse për ndihmë pasi nuk u furnizua me vaksinë.

“Nuk kemi bërë asnjë vaksinë”, tha sekretari i Shtetit për Shëndetësinë në San Marino, Roberto Ciavatta, të martën në TV italian. “Ne u përpoqëm të punojmë me vendet mike, kemi provuar çdo rrugë, por është jashtëzakonisht vonë, kështu që shkuam me atë që tregu ofronte”.

Vaksinimi i qytetarëve është një çështje urgjente për San Marino, i cili ka pasur nivelin më të lartë të vdekjeve nga Covid, 216 për çdo 100 000 banorë.

Aktualisht, Sputnik V është tashmë në përdorim në më shumë se 30 vende. Ndërsa vaksina ruse nuk është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave, Hungaria dhe Serbia i kanë dhënë asaj dritën jeshile dhe Kroacia dhe Sllovakia kanë treguar kohët e fundit interes.

Kritikët e Kremlinit kanë paralajmëruar se Moska po e përdor vaksinën për të zgjeruar ndikimin e saj në kontinent, ndërsa BE po përballet me vonesat e dorëzimit, të cilat nga ana tjetër vonojnë edhe dërgesat e premtuara për vendet joanëtare, të tilla si San Marino ose Ballkani Perëndimor.

Vlen të kujtohet se gjatë valës së parë, pranverën e kaluar, furnizimet mjekësore me të cilat Rusia asistoi Italinë në kulmin e krizës mbanin të stampuar sloganin “Nga Rusia me dashuri”.