Politika Sa deputetë ka Parlamenti? KQZ i kthen përgjigje Presidentit

Sa deputetë ka Parlamenti? KQZ i kthen përgjigje Presidentit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje Presidentit Ilir Meta, lidhur me kërkesën e tij për të marrë informacion mbi numrin e deputetëve që janë momentalisht në Parlament.

Në përgjigje saktësohet se Parlamenti momentalisht ka 122 deputetë.

KQZ bën të ditur se ka plotësuar 23 vakanca nga lista shumëemërore e Partisë Demokratike, 17 nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, 6 nga Partia Socialiste dhe 2 nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Më 14 qershor, Presidenti i kërkoi KQZ-së informacion në lidhje me gjendjen dhe përbërjen aktuale të Parlamentit. Presidenti nuk shpjegon arsyet përse kërkon këtë informacion, por shkresa e tij vjen në një moment të krizës politike dhe institucionale, ku të shumtë janë ata që besojnë se ai po bëhet gati të shpërndajë Parlamentin, bazuar në arsyetimin se ai është ilegjitim për sa kohë nuk janë plotësuar 140 mandate. Kur u pyet për një skenar të tillë, vetë Meta nuk e mohoi atë. Duke shmangur një përgjigje direkte, ai paralajmëroi zhvillime.

Nga ana tjetër, Parlamenti sot ka nisur zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste depozitoi gjatë paradites kërkesën për shkarkimin e tij në Parlament.