Aktualitet Sa gëzhoja u gjetën në banesën e Marsidës? Deklarata e avokatit shton...

Sa gëzhoja u gjetën në banesën e Marsidës? Deklarata e avokatit shton dyshimet mbi dinamikën e ngjarjes

Avokati mbrojtës i Bledar Toçit thotë se viktima Dritan Haxholli ka qëlluar dy herë me armë policin e burgjeve, duke shtuar kështu misterin mbi dinamikën e ngjarjes së rëndë që tronditi Kavajën në orët e para të mëngjesit të 10 tetorit.

Duke folur për gazetarët në ambientet e Spitalit të Durrësit ku Bledar Toçit iu komunikua masa e sigurisë arrest në burg për vrasjen e Dritan Haxhollit, avokati u shpreh se kishin kërkuar që të jepej masa arrest në shtëpi për shkak edhe të gjendjes shëndetësore.

“Është qëlluar dy herë me armë. Është qëlluar dy herë nga një person i cili ka kryer disa vepra penale, shumë i rrezikshëm, me automatik në dorë. Janë të dhënat në dosje. Masa e kërkuar nga prokurori nuk përputhet me atë që parashikon vetë ligji. Po t’i referohemi ligjit, vetë ligji thotë rrezikshmëri e veçantë njëherazi, edhe e veprës edhe e autorit. Dhe autori në mënyrë absolute ka një personalitet shumë të mirë, përkundrazi ka qenë punonjës i sigurisë së burgjeve. Kështu që nuk përputhet ajo që kërkon prokurori. Për këto arsye ne kërkuam arrest në shtëpi dhe për shkak të gjendje shëndetësore”, deklaroi avokati mbrojtës i Bledar Toçit.

Por nga hetimet e grupit hetimor ditën e ngjarjes, rezulton se polici i burgjeve ka marrë një plagë plumbi në pjesën e qafës. Nga burime policore mësohet se në banesën e Marsida Qatjas, aty ku ndodhi edhe përplasja me armë, hetuesit gjetën 1 gëzhojë kallashnikovi të përdorur nga viktima Dritan Haxholli dhe 17 gëzhoja pistolete, që është arma e shërbimit të policit të burgjeve Bledar Toçi. Dy variantet për këtë detaj po shtojnë akoma më shumë dyshimet se çfarë ndodhi brenda banesës në lagjen Nr.2 të Kavajës.

Viktima Dritan Haxholli, i cili më parë ka pasur lidhje intime me Marsida Qatjan, shkoi në banesën e kësaj të fundit i armatosur me kallashnikov. Sipas burimeve nga grupi hetimor, mendohet që Haxholli kishte dyshime se Marsida kishte krijuar lidhje me Bledar Toçin dhe këtë të fundit do ta gjente në banesën e 31-vjeçares. Ai hyri në apartament nga dera kryesore dhe aty u përball me policin e burgjeve, Bledar Toçin, me të cilin kishte njohje të mëparshme.

Haxholli qëlloi në drejtim të tij duke e plagosur me një plumb kallashnikovi Bledar Toçin, kurse ky i fundit reagoi duke e qëlluar me pistoletën e shërbimit. Dy plumba i morën jetën Dritan Haxhollit. Shefi i sigurisë së brendshme të burgut të Durrësit ka thënë se e qëlloi Dritanin për vetëmbrojtje. Edhe Marsida Qatja, e cila dyshohet se është shkaku për krimin e pasionit, ka deklaruar se Bledar Toçi, të cilin thotë se e ka mik, duhet të ngrihet në detyrë për shkak të veprimit të tij heroik.