Një studim i kryer në 68 vende të botës, përfshirë Shqipërinë, tregon se sa i besojnë popuj të ndryshëm shkencës. Hulumtimi është publikuar në revistën “Nature Human Behaviors” dhe në sondazh morën pjesë afro 72.000 njerëz.
Me gjithë masat drastike të marra për të luftuar pandeminë e Coronas, njerëzit nuk janë larguar nga shkenca, siç pretendohej.
Studimi i TISP është sondazhi më i madh i besimit te shkencëtarët që nga pandemia. Duket se shumë të anketuar duan që shkenca të përfshihet më shumë në shoqëri dhe politikë.
Në përgjithësi, 78% e të anketuarve besojnë se shkencëtarët janë të kualifikuar për të kryer kërkime cilësore. 57% i perceptojnë si të ndershëm dhe 75% besojnë se metodat shkencore janë mënyra më e mirë për të zbuluar të vërtetën.
Siç rezulton, shumica e popujve të botës ka besim relativisht të lartë te shkencëtarët: niveli mesatar i besimit në të gjitha vendet është 3.62 (në shkallën 1 është besim shumë i ulët dhe 5 besim shumë i lartë). Por kjo nuk vlen për Shqipërinë.
Shqipëria e fundit në listë
Vendi ynë është renditur i fundit në listë sa i përket besimit në shkencë, sikundër mund të dallohet në grafikun më poshtë.
Më së paku besim tek shkencëtarët qytetarët tregojnë në Etiopi, Rusi, Bolivi, Kazakistan dhe në fund Shqipëri (3.05).
Nga ana tjetër, Egjipti kryeson listën (4.30) si vendi me besimin më të lartë në shkencë, i ndjekur nga India, Nigeria, Kenia dhe Australia.
Të anketuarit besojnë se shkencëtarët janë të aftë të kryejnë kërkime me ndikim të lartë (78%), janë të saktë (57%) dhe kujdesen për mirëqenien e njerëzve (56%). 52% e të anketuarve besojnë se shkencëtarët duhet të jenë më të përfshirë në procesin e politikëbërjes. Gjithashtu, 75% besojnë se metodat e kërkimit shkencor janë mënyra më e mirë për të zbuluar nëse diçka është e vërtetë apo e rreme.
Megjithatë, më pak se gjysma e të anketuarve (42%) besojnë se shkencëtarët i kushtojnë vëmendje mendimeve të të tjerëve. Për më tepër, 83% duan që shkencëtarët t’i komunikojnë shkencën publikut. Gjetjet madje tregojnë se shumë njerëz në shumë vende mendojnë se prioritetet e shkencës nuk përputhen gjithmonë me prioritetet e tyre.
Të anketuarit do të donin që prioritet i lartë t’i jepej kërkimit në lidhje me përmirësimin e shëndetit publik, zgjidhjen e problemeve të energjisë dhe reduktimin e varfërisë. Në vend të kësaj, ata nuk i japin prioritet kërkimit për zhvillimin e teknologjisë së mbrojtjes dhe ushtarake dhe besojnë se shkenca u jep përparësi këtyre dy fushave më shumë sesa dëshirojnë.