Aktualitet Sa koka ka “prerë” dhe sa ka kursyer deri tani vetting-u dhe...

Sa koka ka “prerë” dhe sa ka kursyer deri tani vetting-u dhe cili ka qenë “mëkati” më i shpeshtë

Nisja e procesit të vettingu-t në mars të vitit 2018 i ngjalli shqiptarëve shpresën për një sistem drejtësie të pastruar nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, apo të lidhur me krimin. Por ku ndodhet gjyqësori 1 vit e gjysmë nga ekzistenca e procesit të rivlerësimit?

Deri në fund të korrikut 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka firmosur 188 vendime në total. Filtrin e trefishtë në pasuri, figurë e profesionalizëm e kaluan me sukses 81 gjyqtarë dhe prokurorë. Ata ia dolën të provojnë para Komisionit se kishin pasuritë pastër dhe zero kontakte me botën e krimit. 67 të tjerë u ndëshkuan më përjashtim nga sistemi, ndërsa 1 u kthye në Shkollën e Magjistraturës.

“Mëkati” më i shpeshtë i të larguarve ishte pasuria e pajustifikuar. Në disa raste, KPK gjeti edhe lidhje me elementë të inkriminuar. Asnjëri prej tyre nuk u pajtua me vendimin, duke e kundërshtuar në shkallën e dytë, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku të paktën 30 prej tyre dështuan. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e konfirmimeve janë ankimuar nga Komisioneri Publik.

Në 17 muaj, vetting-u nxori nga funksioni dy gjykatat më të rëndësishme në vend. Në Kushtetuese procesit i shpëtoi gjyqtarja Vitore Tusha. Në Gjykatën e Lartë triumfoi Ardian Dvorani. Në shkallët më të ulëta, dosjet e të larguarve janë rishortuar te kolegët në detyrë. Kjo përkthehet në ngarkesë më të lartë pune për ta dhe me gjasë më shumë vonesë në dhënien e drejtësisë për qindra qytetarë./A2CNN