Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë tregojnë se asnjë parti nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, duke krijuar paqartësi për formimin e ekzekutivit të ri.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë e parë me 41.14% të votave, ndonëse ka humbur mbështetje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 21.99%, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.68%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 7.65%, ndërsa Lista Serbe ka fituar shumicën e votave të komunitetit serb me 4.05%.
Pavarësisht këtyre rezultateve, përbërja e saktë e Kuvendit me 120 ulëse mbetet e paqartë, pasi ende nuk janë numëruar votat e diasporës dhe ato me kusht. Ekspertët vlerësojnë se këto vota mund të ndryshojnë shpërndarjen e mandateve dhe të ndikojnë në formimin e Qeverisë.
Sipas ekspertëve Vetëvendosje mund të fitojë deri në 50 mandate me votat nga jashtë, por do t’i mungojnë votat e mjaftueshme për të qeverisur e vetme. Nga ana tjetër, edhe një koalicion i partive opozitare nuk do të ishte i qëndrueshëm pa kompromise të mëdha politike.
Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të vazhdojë të qeverisë me partnerët aktualë, Alternativën dhe Guxo, ndërsa LDK dhe AAK kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me këtë parti. PDK-ja, e dyta në renditje, nuk ka vendosur vija të kuqe për ndonjë koalicion të mundshëm.
Ndërkohë, Lista Serbe, e cila tradicionalisht ka luajtur rol vendimtar në formimin e Qeverisë, mbetet një faktor i diskutueshëm për konfigurimin e ri politik. Por kryeministri Kurti më herët ka deklaruar se nuk do të formojë qeveri me këtë formacion politik.
Partitë presin që të përfundojë numërimi i votave dhe të kenë një pasqyrë të qartë të shpërndarjes së mandateve dhe për të vijuar më tej me nisjen e negociatave për formimin e qeverisë.