Shëndet Sa njerëz mund të infektojë një person me koronavirus?

Sa njerëz mund të infektojë një person me koronavirus?

Kur një infeksion shpërthen ashtu si u përhap koronavirusi në Wuhan, Kinë, dhe gjetkë në botë, ekspertët e shëndetit publik përpiqen të vlerësojnë potencialin për një epidemi – ose, më keq, një pandemi – duke llogaritur numrin themelor të riprodhimit të patogjenit.

Shifra, e shkruar në përgjithësi si R0 dhe e shqiptuar “R-naught”, është një vlerësim se sa njerëz të shëndetshëm mund të infektojë një person që ka marrë konronavirusin. Për shkak se viruset përhapen në mënyrë eksponenciale, disa raste mund të shumëfishohen në një numër shkatërrues. Një R0 nga dy sugjeron që një infeksion i vetëm, mesatarisht, do të bëhet dy, pastaj katër, pastaj tetë.

Derisa infeksioni të përmbahet ose të përshkojë kursin e vet, dyfishimi do të vazhdojë. Por numri kryesor i riprodhimit të një patogjeni supozon se të gjithë janë të ndjeshëm ndaj infeksionit. Falë vaksinave dhe kushteve të tjera, kjo shpesh nuk ndodh, dhe numri i riprodhimitt efektiv është më i ulët.

Kur lloji i ri i koronavirusit filloi të infektonte njerëzit, nuk kishte asgjë për ta ngadalësuar përparimin e tij.

Për shkak se sëmundja, të cilën ekspertët e kanë quajtur Covid-19, po infekton njerëzit për herë të parë, nuk ka imunitet të mundshëm ndaj virusit të ri të bartur nga vaksinimet e mëparshme. Të gjithë mund ta marrin atë potencialisht, dhe, sipas Qendrës MRC për Analziat Globale të Infeksioneve, virusi ka një R0 prej 1.5 deri 3.5.

“Tani për tani, koronavirusi shfaqet shumë më shumë shqetësues sesa ka qenë SARS-i”, tha Steven Riley, një profesor i dinamikës së sëmundjeve infektive në Imperial College, duke iu referuar shpërthimit global të virusit SARS në 2003, kur 8.096 njerëz u sëmurën dhe 774 humbën jetën. “Ky është vlerësimi ynë sepse numri i njerëzve që janë aktualisht të infektuar nga koronavirusi është më i lartë se numri maksimal që u infrektuan asokohe me SARS.”

Covid-19 dhe sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes, ose SARS, të dy janë shkaktuar nga koronaviruset, një familje e viruseve që shkaktojnë infeksione që variojnë nga ftohja e zakonshme deri tek sëmundjet e rënda të frymëmarrjes.

Deri më tani, komisioni kombëtar i shëndetësisë në Kinë, ka raportuar më shumë se 59,000 raste të Covid-19 dhe të paktën 1.300 vdekje.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, të paktën 447 raste janë konfirmuar në 24 vende të tjera, përfshirë 15 të infektuar në SH.B.A.

Për shkak se shumë raste nuk bëhen me dije, totali i të prekurve nga Koronavirusi mund të jetë shumë më i lartë.

Monitorimi në Kinë ka të ngjarë të dedektojë 10% ose më pak të të gjitha infeksioneve atje, sipas Neil Ferguson, drejtor i Qendrës MRC. Në vendet e tjera, me siguri rreth 25%.

“Aty ku do të shohim tjetër është Hong Kongu dhe Singapori”, tha Dr. Riley. “Ne mund të shohim një faze tjetër rritjeje atje“, megjithëse, shtoi ai, studiuesit nuk kanë parë ende rritje eksponenciale jashtë Kinës kontinentale.

Për të vlerësuar mundësinë e përhapjes, kërkuesit shkencorë të Imperial College e kanë nisur me dy të dhëna: kohën kur virusi shpërtheu, në dhjetor, dhe faktin që shtatë udhëtarë që lanë Wuhan u konfirmuan të kishin Covid-19.

Për të kuptuar sa njerëz të tjerë ishin të infektuar, ata vëzhguan se 19 milion syresh ishin në zonën më të madhe të Wuhan, dhe mesatarisht, 3.301 persona udhëtonin çdo ditë ndërkombëtarisht.

“Nëse do të pjesëtoni 19 milion me 3,301, ju do të kuptoni se sa persona udhëtojnë ndërkombëtarisht në ditë”, tha Dr. Riley, i cili ishte anëtar i ekipit që gjeneroi vlerësimin. “Raporti është afërsisht 1 në 5,755 mundësi për të udhëtuar në ditë.”

Studiuesit supozuan se ekzistonte një dritare 10-ditore në të cilën mund të zbulohej një udhëtar i infektuar.

“Nëse do të kemi 10 ditë për të zbuluar, ne duhet të pjesëtojmë 5,755 me 10 ose një shans 1-në-576 për të zbuluar një rast”, tha Dr. Riley. “Do të zbulojmë vetëm një në çdo 576 raste.”

Ata shumëzuan 576 raste me shtatë, numrin e udhëtarëve të sëmurë të konfirmuar, për të dalë me një vlerësim prej 4.032 rasteve të mundshme në Wuhan deri në 23 janar, fundi i periudhës që ata ekzaminuan.

Duke marrë parasysh kufijtë e besimit, tha Dr. Riley, shifra mund të ishte deri në 1700 ose deri në 7.800.

“Shpesh, një gamë e gjerë e tillë nuk ka ndonjë vlerë,” tha ai. “Por në këtë rast, është e dobishme sepse kufiri i poshtëm ishte dukshëm më i lartë sesa rastet e rënda të raportuara.”

Bazuar në këtë informacion, studiuesit vlerësuan nivelin e rritjes së virusit dhe supozuan se, si SARS, kaloi një mesatare prej 8.4 ditësh midis kohës kur një person mori virusin dhe më pas infektoi të tjerët – çka njihet si koha e gjenerimit.

“Nëse e dini se sa shpejt rritet dhe kohën mesatare midis brezave, mund të thuhet se cili është numri mesatar i pasardhësve (I të infektuarve) që secili rast do të transmetojë,” tha Dr. Riley.

Ata konkluduan se numri ishte nga 1.5 në 3.5, ose një vlerësim qendror prej 2.6.

Për të kontrolluar virusin, ata vlerësuan se më shumë se 60% e transmetimeve duhet të bllokohen.

Në këtë fazë, është shumë shpejt të tregohet sesi funksionojnë karantinat dhe ndërhyrjet e tjera, por ekspertët presin që infeksionet do të vazhdojnë të përhapen.

“Unë mendoj se ka të ngjarë që ne do të shohim një pandemi globale,” tha Marc Lipsitch, profesor i epidemiologjisë në Harvard T.H. Shkolla e Shëndetit Publik Chan. “Nëse ndodh një pandemi, 40% deri në 70% e njerëzve në mbarë botën ka të ngjarë të infektohen gjatë vitit të ardhshëm. Cila përqindje e këtyre do të jetë simptomatike, nuk mund të jap një numër të saktë. “/WSJ/