Sport Sa shumë telashe për Luciano Spallettin, dëmtohet edhe Nainggolan!

Sa shumë telashe për Luciano Spallettin, dëmtohet edhe Nainggolan!

Në një moment delikat ku mund të vendosen fatet e sezonit pasi në prag janë katër sfida shumë të rëndësishme, dy përballjet ndaj gjermanëve të Eintracht Frankfurt në Europa League dhe takimi ndaj Spal e derbi ndaj Milanit në Serinë A, Interi ka marrë një tjetër goditje.

Sikur të mos mjaftonin problemet me Mauro Icardin, dëmtimi i gjatë i Keita Balde apo edhe mungesat në listën UEFA të Gagliardinit, Joao Marios dhe Dalbert, zikaltrit kanë humbur edhe mesfushorin e tyre më të mirë për sfidën e parë ndaj Franfkurtit që do të zhvillohet këtë të enjte. Radja Nainggolan ka pësuar një dëmtim në këmbën e majtë gjatë stërvitjes së të martës dhe analizat të cilave lojtari belg u është nënshtruar këtë të mërkurë kanë përcaktuar se Nainggolan do të humbasë sfidën e parë ndaj Frankfurtit dhe ndeshjen ndaj Spal ndërsa rrezikon të mungojë edhe në sfidën e kthimit ndaj gjermanëve dhe në derbin e Madoninës ndaj Milanit.

Një dëmtim që vjen pikërisht atëherë kur nuk duhej madje në momentin që mesfushori me origjinë indoneziane po rifitonte formën e tij më të mirë. Në këtë mënyrë për ndeshjen ndaj Frankfurtit, Luciano Spalletti i ka të detyruara zgjedhjet sidomos në mesfushë aty ku përveç Nainggolan nuk ka të gatshëm as Gagliardinin e Joao Marion.

Në këtë mënyrë vendin e belgut në formacion pritet ta marrë Borja Valero, që sëbashku me Brozovic e Vecinon do të formojë treshen e mesfushës, ndryshime mund të ketë vetëm në rast se trajneri i Interit do të propozojë në repartin e ndërmjetëm një mes Asamoah dhe Skriniar të cilët mund ta bëjnë edhe rolin e shkatërruesit. Lajmi i vetëm i mirë për Interin përpara kësaj sfide është që edhe Frankfurti nuk do të ketë në dispozicion yllin kroat Ante Rebic për shkak dëmtimi.