Extra Sa spiritualë jemi ne shqiptarët dhe ku renditemi në botë

Sa spiritualë jemi ne shqiptarët dhe ku renditemi në botë

Shqipëria renditet në vendin e 83-të në botë, ndër 115 shtete, në një indeks disi të veçantë, atë të spiritualitetit.

Renditja e përgjithshme merr në konsideratë shumë faktorë, si: cilësinë e jetesës, mirëqenien apo tolerancën fetare.

Indeksi i Wayfairer Travel ka për synim të shkojë përtej çështjeve fetare duke treguar më shumë mënyrën e mendësisë së një popullsie të caktuar.

Pavarësisht se merr pikët maksimale në tolerancën fetare, Shqipëria mbetet në fund të renditjes, për shkak të pikëve minimale që merr në drejtim të mirëqenies dhe cilësisë së jetesës.

Në secilin prej këtyre dy nën-indikatorëve, vendi ynë merr vetëm 1 pikë nga 7, pra pikët më të ulëta.

Në drejtim të tolerancës fetare ndërkohë, merr 7 pikë.

Po 1 pikë, Shqipëria merr edhe në drejtim të nën-indikatorit që i referohet popullsisë religjioze.

Janë pikërisht këta tre nën-indikatorë që bëjnë që vendi ynë të jetë në fund të renditjes.

Në rajon ndërkohë, Bosnje Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia janë më keq se Shqipëria.

Në nivel global dy vendet e para janë Kanadaja dhe Italia ndërkohë që dy vendet e fundit janë Sllovakia dhe Siria.