Bota Samiti i Londrës/ Ana Bërnabiç flet për tregti, Albin Kurti i kërkon...

Samiti i Londrës/ Ana Bërnabiç flet për tregti, Albin Kurti i kërkon njohjen e Kosovës

Në Samitin e Londrës, kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, ka kërkuar bashkëpunim rajonal në tregti, ndërsa kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar asaj njohjen e Kosovës.

Zëvendëspresidenti i BERZH-it, Jurgen Rigterink, ka shkruar mbi atë që u diskutua mes kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit për Investime në Ballkanin Perëndimor, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Siç e përshkruan ai, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka thënë se duhet të rritet bashkëpunimi në rajon për tregti, e kryeministri i Kosovës është pajtuar me të, por ka kërkuar njohjen e Serbisë dhe e ka mbrojtur zotimin e tij për vendosjen e masave të reciprocitetit.

“Diskutim interesant në Samitin e BERZH-it për investime në Ballkanin Perëndimor. Kryeministrja e Serbisë ka argumentuar se zhvillimi i tregtisë rajonalë është kyç për sigurinë në Ballkan. Kryeministri Albin Kurti është pajtuar dhe ka pyetur për reciprocitet dhe njohjen e Kosovës”, ka shkruar zv. presidenti i BERZH-it.

Në Londër po marrin pjesë gjashtë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. BERZH ka njoftuar se këtë vit planifikon të investojë një miliard euro për këtë rajon.

Kryeministri Kurti po merr pjesë për herë të parë në këtë Samit, ndërsa në fotografitë e publikuara nga Londra, duket se atij i janë caktuar të gjitha ulëset afër Bërnabiçit.