Bota Samiti kundër dhunës, Papa Françesku: Duhen masa konkrete. Kardinali në lot: Plagët...

Samiti kundër dhunës, Papa Françesku: Duhen masa konkrete. Kardinali në lot: Plagët mbartin mëkatet tona

Papa Françesku hapi në Vatikan samitin e parë që synon të luftojë abuzimet seksuale të fëmijëve nga priftërinj. Ai tha se Kisha do t’i dëgjojë të qarat e atyre qëkërkojnë drejtësi. Ati i shenjtë kërkoi masa konkrete.

“Populli i shenjtë i Zotit pret nga ne jo vetëm një dënim të thjeshtë, por masa konkrete dhe efikase. Na duhet konkretizim, prandaj le të fillojmë udhëtimin tonë të armatosur me besim dhe me shpirtin e së vërtetës”, tha Papa Françesku

Më tej Papa shton se e keqja e abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve nga priftërinjtë duhet të transformohet në një purifikim të Kishës Katolike. Kardinali i Irakut, Louis Rapahel Sako e konsideron këtë samit një mundësi të rëndësishme për t’u përballur me skandalin.

“Është një ditë e rëndësishme pasi duhet të përballemi me realitetin e trishtë, por jo të gjithë priftërinjtë janë të përfshirë. Duhet të gjejmë fajtorët dhe të bëjmë drejtësi. Ka dhe të pafajshëm, prandaj bëni drejtësi por gjithashtu kini mëshirë”, tha Louis Rapahel Sako, Kardinal në Irak.

Samiti 4-ditor mbledh bashkë krerët konferencës kombëtare të Arqipeshkëve Katolikë, zyrtarët e Vatikanit, ekspertë dhe krerët e rendit fetar. Disa grupime të viktimave e shikojnë me skepticizëm duke e quajtur eventin një mashtrim publicitar që synon të pastrojë imazhin e 1,3 miliard anëtarëve të Kishës që është njollosur nga skandali.

Ndërkohë, Kardinali i Filipineve preku audiencën pasi gjatë fjalës së tij shpërtheu në lot. Luis Tagle tha plagët e viktimave mbartin dobësitë dhe mëkatet e Kishës. “Plagët e krizës aktuale mbartin kujtesën e të pafajshmëve që vuajnë, gjithashtu dobësitë dhe mëkatet tona. Nëse ne duam të bëhemi agjent të shërimit le të mos përjashtojmë ndonjë tendencë që kjo pjesë e mendimit botëror refuzon të shikojë dhe prekë siç janë plagët e të tjerëve, që në fakt janë plagët e Krishtit në popullin e lënduar. Të prekurit nga abuzimi dhe skandali duhet të bëhen të fortë në këtë moment”, tha ai.