Sport “San Siro” si Teatri Kombëtar në Shqipëri: Të shembet, nuk ka interes...

“San Siro” si Teatri Kombëtar në Shqipëri: Të shembet, nuk ka interes kulturor

Interi dhe Milani po negociojnë prej kohësh me bashkinë e Milanos, për të ndërtuar një stadium të ri dhe modern në të njëjtën hapësirë që është aktualisht mitiku “San Siro”, me këtë të fundit që është planifikuar të pësojë një rikualifikim, për të qenë në shërbim të publikut.

Fillimisht bashkia hodhi poshtë projektin që synonte shembjen e stadiumit aktual dhe për këtë klubet u detyruan të ndryshojnë e të paraqiten me një projekt të ri, që duket se ka gjetur edhe miratimin e të gjithë palëve të përfshira në këtë proces.

Ndërkohë ditën e djeshme ka ardhur edhe një përgjigje nga Agjencia Rajonale e Mbrojtjes Kulturore të Lombardisë, që në përgjigje të një shkrese të bashkisë së Milanos, ka deklaruar se stadiumi mund të rikualifikohet, ose edhe të shembet, pasi nuk është objekt i një rëndësie të veçantë.

Tani pritet vetëm miratimi final i Këshillit të Bashkisë së qytetit dhe firma mbi projektin e ri, për “t’u ndezur dritën jeshile” punimeve, që pritet të zgjasin deri në vitin 2024, kohë kur edhe drejtuesit e dy klubeve kanë planifikuar përurimin e stadiumit të ri.

Ky impiant pritet të jetë nga më modernit në botë, me një kapacitet prej 60-65 mijë spektatorësh dhe shumë ambiente komerciale, si bare, restorante, muze e dyqane, që pritet të rritin ndjeshëm të ardhurat e dy klubeve të Milanos.