Bota Sarkozy në gjykatë për korrupsion, hera e parë që një ish-president shfaqet...

Sarkozy në gjykatë për korrupsion, hera e parë që një ish-president shfaqet në një sallë gjyqi

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, do të paraqitet para gjyqtarëve në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion në çështjen e përgjimit. Të akuzuar janë edhe avokati i tij, Thierry Herzog dhe ish-magjistrati Gilbert Azibert.

Nicolas Sarkozy, 65-vjeç, ka premtuar të jetë “luftarak” përpara gjykatës dhe ka përsëritur ditët e fundit se ai nuk është “i korruptuar”.

Gjyqi pritet të zgjasë deri më 10 dhjetor, por varet nga situata e pandemisë dhe mund të shtyhet me kërkesë të ish-magjistratit 73-vjeçar Azibert, për arsye shëndetësore.

Rasti i përgjimit, ose “çështja Bismuth”, është e lidhur me atë të ryshfetit libian për fushatën presidenciale 2007. Kur gjyqtarët kontrolluan telefonin celular të ish-presidentit në 2013-n për të hetuar paratë e pretenduara që vijnë nga Tripoli, ata zbuluan se Sarkozy përdori një linjë sekrete nën emrin “Paul Bismuth” për të komunikuar me avokatin e tij, Herzog.

Prokuroria beson se disa biseda të përgjuara zbuluan ekzistencën e një “pakti” korrupsioni. Sarkozy, përmes Herzog, do të ndihmonte Azibert për të marrë një pozitë në principatën e Monakos që ai aspironte. Në shkëmbim, Azibert do të siguronte informacion sekret për një procedurë të filluar kundër ish-kreut të shtetit para Gjykatës së Kasacionit në periferi të një skandali tjetër, skandali “Bettencourt”.

Sarkozy është kreu i parë i shtetit francez që paraqitet para gjyqtarëve si i pandehur. Paraardhësi i tij Jacques Chirac u akuzua dhe u dënua në 2011-n, për skandalin e punësimit të rremë në Komunën e Parisit, por nuk u paraqit kurrë në sallën e gjyqit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.