Sport Sarri: Duam të fitojmë duke u argëtuar, nga Juve e Allegrit dua...

Sarri: Duam të fitojmë duke u argëtuar, nga Juve e Allegrit dua të mbaj këtë detaj

Disa ditë pas prezantimit zyrtar, Maurizio Sarri ka dhënë një tjetër intervistë, ku ka treguar arsyet që e bënë të pranojë ofertën e Juventusit.

“Ishte momenti të kthehesha në Itali dhe Juventusi ishte skuadra që më kërkoi me më shumë bindje. Te bardhezinjtë më bëri përshtypje kompaktësia mes drejtuesve, diçka që nuk e kisha hasur ndonjëherë”, tha Sarri.

Ish-trajneri i Chelseat dhe Napolit, ka ardhur te Juventusi me misionin për ta bërë skuadrën më të bukur në fushë, por njëkohësisht për të ruajtur traditën e triumfeve, që la Allegri në vitet e fundit.

“Duam të argëtohemi në fushën e lojës, por sigurisht që edhe të fitojmë, ndonëse e dimë që nuk do të jetë fort e lehtë. Do të më pëlqente të mbanim disa nga cilësitë e Juventusit të Allegrit, që për një moment të jepte idenë se e kishe vënë poshtë, ndërsa në pak sekonda ndryshonte tërësisht dhe kuptoje të kundërtën. Filozofia ime është pak ndryshe, por në fund shpresoj që të argëtohemi dhe të fitojmë”, u shpreh numri 1 i pankinës bardhezi.