Sport Sarri e do Icardin te Juventusi, “flirti” daton që para tri vitesh

Sarri e do Icardin te Juventusi, “flirti” daton që para tri vitesh

Tri vjet më pas, ëndrra “Mauro Icardi” mund të bëhet realitet për Maurizio Sarri. Trajneri i ardhshëm i Juventusit, në fakt, kurrë nuk e ka fshehur vlerësimin për ish-kapitenin e Interit. Aq shumë e pëlqente argjentinasin, sa kur donte të gjente zëvendësuesin ideal të Gonzalo Higuain te Napoli, emir i Icardit ishte i pari, që i erdhi në mendje Sarrit.

Megjithatë, asokohe, Mauro ishte i pashitshëm për Interin. Negociatat nuk përparuan dot, me De Laurentiis që u detyrua përfundimisht të devijonte objektiv: nga Icardi te Milik. Kjo është arsyeja pse, sipas “Il Corriere dello Sport”, Sarri do të ishte i lumtur t’i kryqëzonte rrugët me Icardin te Juventusi. Klubi bardhezi e ka tentuar sulmuesin argjentinas edhe verën e kaluar, para se të blinte Cristiano Ronaldon.

Tani, në vend të kësaj piste, Icardi mund të bashkohet me CR7, për sa kohë që Maurito nuk konsiderohet më “violinë e parë” te zikaltrit. Kontrata e tij skadon në vitin 2020 me Interin, por trajneri Antonio Conte e konsideron “dru të shtremër” në grupin e tij, ndaj e ka nxjerrë në shitje. Conte pret ardhjen e Dzeko, ndërsa ëndrra tjetër e tij ka emrin e Lukaku. Një goditje, që do të ishte e mundur vetëm pas shitjes së ish-kapitenit.

Argjentinasi, i cili deri më tani ka refuzuar të gjitha destinacionet në Itali dhe Europë, mund ta konsiderojë hipotezën bardhezi, sepse transferimi në Torino do ta lejonte që të mos largohej larg Milanos së tij të dashur, ku ka blerë shtëpinë luksoze dhe familja është integruar plotësisht.

Më parë, megjithatë, Juventusi do të duhet ta spastrojë diçka në sulmin e vet, ky bëjnë pjesë dy “pyka” të tjera: Mario Mandzukic dhe Gonzalo Higuain (ky i fundit pritet të kthehet nga huazimi te Chelsea). Edhe shitja e Paulo Dybala nuk është përjashtuar, pavarësisht se “Joya” ka deklaruar gjithmonë dashuri për fanellën bardhezi.