Sport Sarri zyrtarizohet te Juventusi, rriten shpresat për Hysajn

Sarri zyrtarizohet te Juventusi, rriten shpresat për Hysajn

Mauricio Sarri është zyrtarisht trajneri i ri i Juventusit. Lajmi është bërë publik në profilet zyrtare të klubit torinez në rrjetet sociale. Marrëveshja ishte arritur më parë mes palëve dhe firma ishte thjesht formalitet. Sarri, pas një viti në Premier League, në krye të Çelsit, kthehet në Serinë A, duke zënë vendin e Masimiliano Alegrit, i cili nuk rinovoi kontratën me bardhezinjtë.

Juventusi dhe Sarri kanë firmosur një kontratë deri në vitin 2022 mes tyre. Tani pritet me interes se çfarë lëvizjesh do të bëjë trajneri i ri i bardhezinjve sa i takon merkatos, cilët do të jenë lojtarët me peshë që ai do të marrë, në mënyrë që Juventusi të arrijë suksesin edhe në Champions. Në Sërinë A trajneri Sarri ka drejtuar edhe Empolin e Napolin.

Kalimi i trajnerit Sarrit te Juventusi shihet si një “tradhti” nga tifozët e Napolit, ekipi që trajneri në fjalë e ka drejtuar me sukses për disa sezone me radhë, duke i dhënë një filozofi loje, që e bëri të njohur në Europë. Pikërisht te Napoli ai ka apsur nën urdhrat e tij edhe Elseid Hysajn, futbollistin e Kombëtares kuqezi. Për shkodranin, që duket se e ka të sigurt largimin nga Napoli, rriten shpresat për të veshur fanellën e Juventusit, sepse Sarri e ka “pikë të dobët”. Për Hysajn ka një interesim edhe nga Atletiko Madrid në Spanjë, por edhe nga Interi. Me zyrtarizimin e Sarrit te Juventusi, situata mund të ndryhsojë edhe për mbrojtësin e krahut të djathtë.