Sport “Schumacher ishte me fat”

“Schumacher ishte me fat”

Pesë vite pas aksidentit të rëndë të Michael Schumacher, ka folur roja i sigurisë në Alpet zvicerane ku përplasi kokën në shkëmb kampioni i Formula 1. Stephane Bozon, i cili drejtoi operacionin e shpëtimit të tij në vendngjarje, thotë se Schumacher ka qenë me fat.

“Kujtoj që mjekët e urgjencës së helikopterit kishin probleme për shkak të vendit ku ndodhi aksidenti”, tha ai për gazetën gjermane “Focus”. “Qartësisht dëmtimi ishte shumë serioz, përndryshe nuk do të kishim përdorur helikopterin. Z.Schumacher ishte me fat. Unë pashë gurin ku Schumacher u përplas duke bërë ski, dhe guri ishte në kokën e tij”, shtoi ai.

Bozon tregon gjithashtu se kampioni i Formula 1 nuk e kishte parë gurin kur po bënte ski. Nëse do të kishte më shumë dëborë, ndoshta Schumacher nuk do të kishte përplasur kokën dhe do të kishte kaluar mbi gurin, sqaron Bozon. Pamjet e aksidentit të rëndë, thotë se i kthehen gjithmonë në kujtesë, ndërsa shprehet se nuk ka asnjë informacion për shëndetin e gjermanit pasi nuk mban lidhje me familjen e tij.

Disa javë më parë, “Daily Mail” publikoi lajmin se Schumacher ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është ngritur në këmbë me ndihmën e fizioterapive. Schumacher përplasi kokën në një gur në Alpet zvicerane më 29 Dhjetor 2013, duke rënë fillimisht në koma. Gjendja e tij shëndetësore është mbajtur gjithmonë e fshehtë nga ana e familjarëve, teksa për të kujdesen një ekip mjekësh dhe infermierësh.