Bota Seehofer–Salvinit: Mateo, a është Italia një ankand skllevërish?

Seehofer–Salvinit: Mateo, a është Italia një ankand skllevërish?

Gjermania po vazhdon rolin e “nënës zemërmadhe” sa i përket menaxhimit të krizës së emigrantëve, duke kritikuar Italinë për politikat e fundit që i lënë ata të bllokuar në det.

Samiti i Helsinkit mblodhi bashkë disa nga ministrat e vendeve të Evropës, takim ky ku Ministri i Brendshëm Gjerman, Horst Seehofer u përplas me homologun Italian Mateo Salvini.

Deklaratat e tij qortuese kanë zënë vend në mediat ndërkombëtare, pasi Seehofer iu drejtua në emër Salvinit duke i thënë: “Mateo, çfarë qëllimesh ka procedura juaj bllokuese? A është ky një ankand skllevërish? Ne duhet të shmangim pritjet e gjata në det, aty ku kushtet përkeqësohen vetëm pse ti nuk lejon zbarkimin e tyre në Itali”.

Por ky takim nuk pritet të japë rezultate. Pikërisht për këtë problematikë, pritet që në shtator të mbahet një takim në Maltë. Deri atëherë, pa dyshim që edhe numri i emigrantëve të bllokuar do të rritet.

Gjermania ka kohë që ka kritikuar qasjen e “trajtimit si shifra” të qenieve njerëzore në det, ndërkohë që Italia do të kujtohet për trajtimin e padenjë të tyre, ku nuk pranon as t’i zbarkoj në tokë.