Kryesore Sekretet e aplikimit në një universitet amerikan

Sekretet e aplikimit në një universitet amerikan

Dhjetëra prindër të pasur u akuzuan këtë javë për vepra penale pasi kishin paguar nën dorë shuma që arrijnë në miliona dollarë për të blerë pranimin e fëmijëve të tyre në universitete të njohura. Skandali ka nxjerrë në dritë një proces me shumë të panjohura dhe shumë kokëçarje për të rinjtë që aplikojnë në universitete.

Çfarë duhet të bëjë një aplikant që të pranohet në një universitet amerikan?

Të rinjtë nuk mund të presin deri në vit të fundit të shkollës së mesme për t’u përgatitur. Ata fillojnë sapo futen në shkollë të mesme. Mesatarja – faktori më i rëndësishëm për të vendosur nëse pranohet një aplikant – fillon të llogaritet që në ditën e parë të shkollës së mesme.

Pjesa më e madhe e universiteteve u kërkojnë aplikantëve të dërgojnë dëftesat me nota për gjithë vitet e shkollës së mesme, ku përfshihet edhe mesatarja, që llogaritet jo vetëm nga nota në lëndë, por edhe nga niveli i vështirësisë së lëndës. Mesatarja 4.0 pikë konsiderohet më e larta, por nxënësit mund të marrin lëndë të nivelit universitar për ta çuar mesataren edhe më lart.

Sipas portalit Prepscholar.com, aplikantët në Yale kanë një mesatare rreth 4.12 pikë, në Universitetin e Kalifornisë është rreth 3.73 pikë, ndërsa në Akademinë e Marinës, një institucion shtetëror ushtarak i njohur për standardet rigoroze, mesatarja e aplikantëve që pranohen është rreth 3.94 pikë.

Asgjë nuk është e garantuar

Prindërit që kanë të ardhura të larta mund t’i çojnë fëmijët në shkolla të mesme private që kanë një program mësimor përgatitor për universitetet. Por disa analistë thonë se ka raste kur studentët në këto shkolla nuk e shtyjnë veten sa duhet drejt arritjeve të shkëlqyera si disa të rinj që ndjekin shkolla jo të forta, por punojnë vetë fort.

Megjithatë, notat nuk janë garanci për pranim. Pjesa më e madhe e universiteteve përdorin metodologji shumë-dimensionale për të gjykuar aplikantët duke marrë në shqyrtim arritjet në sport apo art, shpirtin novator, iniciativën vetjake. Universitetet e zgjedhin grupin e ri të studentëve, ashtu si dirigjenti që zgjedh muzikantë për orkestër: një aplikant mund të jetë flautisti më i mirë në botë, por orkestrës i duhet një saksofonist.

Administratorët e zyrës së pranimit në universitete kërkojnë të rinj që dëshmojnë disiplinë, dikush që zgjohet çdo ditë para agimit për të bërë stërvitje noti. Ata kërkojnë të rinj që kanë aftësi udhëheqëse përmes shembullit dhe forcës së argumentit. Po ashtu me vlerë është puna vullnetare në ndihmë të komunitetit, e cila duhet të vërtetohet me dëshmi konkrete.

Studentët shkruajnë edhe një ese ku përpiqen të tregojnë karakterin e vërtetë. Më parë, një student shkruante për traumën që kishte ndjerë pas ndarjes së prindërve. Por sot, një temë më popullore është përvoja e një të riu që është kujdesur për një pjesëtar të moshuar apo të sëmurë në familje.

Individë dhe kompani private ofrojnë shërbimet e tyre për të ndihmuar të rinjtë të përgatisin aplikimin për universitet. Por nuk është e nevojshme të shpenzosh para për të paguar këto shërbime private, pasi universitetet ofrojnë këshilla dhe udhëzime në faqet e tyre elektronike.

Por edhe kjo mund të mos mjaftojë, thonë punonjësit e zyrës së pranimeve në universitete:

“Shumë të rinj të talentuar dhe të aftë, të cilët në të ardhmen mund të bëhen shumë të suksesshëm, nuk pranohen në universitete si Harvard, Stanford dhe Yale. Fakti është që këto universitete nuk kanë vende të mjaftueshme për të gjithë,” shkruan Natasha Warikoo, pedagoge në Harvard.

Aplikantët këshillohen të analizojnë më në hollësi universitetet ku duan të aplikojnë. Nëse një i ri është i interesuar të studiojë marrëdhëniet ndërkombëtare, ai duhet të shohë katalogun e lëndëve që ofrohen në këtë universitet mbi këtë lëndë, si dhe nëse universiteti ofron mundësi për të studiuar jashtë vendit. Për dikë që i pëlqen inxhinieria, ai duhet të shohë se çfarë lëndësh të shkencave ekzakte ofron universiteti.

Shumë prindër besojnë se duke prenotuar një intervistë me zyrtarët e pranimit në universitet, fëmija i tyre fiton pikë pasi ka mundësi t’i impresionojë direkt zyrtarët. Por duhet që aplikanti të shkojë në intervistë i përgatitur më së miri. Një nga pyetjet që u drejtohen shpesh të rinjve në këto intervista: Çfarë librash të pëlqen të lexosh?

Aplikimet nga Studentët Ndërkombëtarë

Studentët ndërkombëtarë që aplikojnë nga vendet e tyre mund të gjejnë informacion falas nga 425 qendrat kulturore pranë konsullatave apo ambasadave amerikane në vendet e tyre.

EducationUSA, faqja elektronike e Departamentit të Shtetit e zbërthen procesin në terma të kuptueshme duke shpjeguar si aplikohet në universitetet amerikane, si planifikohen provimet e pranimit, si mund të paguash për studimet në SHBA, si mund të aplikosh për vizë studenti dhe çfarë përgatitjesh duhet të bësh për të ardhur në SHBA si student i huaj.

Drew Gilpin Faust, e para grua presidente e Universitetit të Harvardit, ofron filozofinë e këtij institucioni prestigjoz në procesin e pranimeve:

“Ne mund t’i mbushim dy herë më shumë klasat me gjithë të rinjtë e shkëlqyer në mësime që aplikojnë në këtë universitet. Por ne kërkojmë edhe diçka më tepër. Një prej veçorive është karakteri i fortë. Rekomandimet nga mësuesit, punëdhënësit që dëshmojnë se çfarë kanë vërejtur tek ky i ri janë shumë të rëndësishme, pasi tregojnë se si do të përshtatet ky individ në komunitetin tonë. Po ashtu, ne kërkojmë individë interesantë, të rinj që do të kontribuojnë në këtë komunitet. Pra kërkohet një kombinim i veçorive që tregojnë se ai do të përfitojë prej nesh, por edhe ne do të përfitojmë prej tij. Do t’i këshilloja prindërit t’i bëjnë fëmijët interesantë, t’i inkurajoni të ndjekin pasionet e tyre, të gjejnë aktivitete që i entuziazmojnë, që edhe ne të entuziazmohemi”.

Presidentja e Universitetit të Harvardit i bëri komentet në vitin 2014 në një diskutim në Festivalin e Ideve në Aspen. Në diskutim asaj iu drejtua pyetja “Nëse një i ri është me nota të shkëlqyera, më të lartat në atë vit shkollor, ka marrë rezultate të përsosura në provimet e pranimit, është kapiten i ekipit të futbollit, president i shoqatës studentore, a do ta ketë të garantuar pranimin?”. Zonja Faust përgjigjet “Jo”./VOA