Politika Sekuestrohen 4646 metra pa leje në qendër të Tiranës, Rama: Ky është...

Sekuestrohen 4646 metra pa leje në qendër të Tiranës, Rama: Ky është vetëm akti i parë

Kryeministri Edi Rama publikoi një mesazh në Facebook ku njofton kalimin në pronësi të shtetit të një sipërfaqeje prej 4646 metrave katrorë të ndërtuara, sipas tij, pa leje, në qendër të Tiranës.

“Kush ka kujtesë e di që unë, luftën për ndërtimet pa leje dhe ndërtimin civilizues, e kam nisur bashkë me politikën”, tha Rama në mesazhin e tij, pa specifikuar se për cilën godinë bëhej fjalë.

“E kemi ulur 10-fish numrin e metrave katrorë pa leje, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare. Sepse gjithsesi e kanë gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, e sigurisht duke marrë peng gjykatës e prokurorë. Tani kemi ardhur te kapitulli i fundit i kësaj përpjekjeje të gjatë dhe pasi kemi parë që drejtësia e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi, kemi marrë vendim qeverie dhe kemi mbyllur çdo shteg. Sepse nuk na blen dot askush. Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund, pa u lodhur as nga pengesat e panumërta. Ky është vetëm akti i parë, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror”.