Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive për pasuri me vlerë dy milionë euro në kryeqytet, në kuadër të hetimeve që po kryhen për operacionin “Milano”.
Pasuritë janë në pronësi të 55-vjeçarit Kristaq Mahmutaj dhe dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
55-vjeçari është i dënuar në Itali për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Krisqat Mahmutaj u ekstraduar më 15 Mars drejt Italisë pasi është arrestuar gjatë një operacioni nga Policia e Tiranës, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja në rrethana rënduese” dhe “Trafik droge”.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2.000.000 euro, konkretisht një ndërtesë 4-katëshe, një sipërfaqe trualli, dy sipërfaqe toke (ara), një subjekt me veprimtari në fushën e prodhimit të ujit të pijshëm dhe një subjekt bar-kafe.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.