Aktualitet Sekuestrohet drogë e municione, arrestohet dhe 37-vjeçari që vidhte vepra arti

Sekuestrohet drogë e municione, arrestohet dhe 37-vjeçari që vidhte vepra arti

Policia e Durrësit ka finalizuar disa operacione ku janë zbuluar disa krime të ndodhur në këtë qytet. Mësohet se në pranga kanë rënë 2 persona dhe një tjetër është ndaluar, pasi dyshohet se është autor i 8 vjedhjeve.

Në pranga ka rënë Dejvid Karaboja 29 vjeç, banues në Durrës, të cili gjatë kontrollit fizik, në çantën e dorës iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi dozash me lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, si dhe një shumë parash, të cilat dyshohet se ky shtetas i ka përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Ndërkohë policia ka vënë në pranga dhe 37-vjeçarin Denis Kapedani, të cilit i është gjetur drogë. Po ashtu Kapedani akuzohet se është autori i vjedhjes së disa vepra arti me vlera historike.

Atij gjatë një kontrolli më të imtësishëm i është gjetur një grirëse hashashi, krehër arme dhe municion luftarak, armë të ftohta, thikë dhe shpatë, uniforma policie me simbolet e Policisë së Shtetit, 1 tavolinë pokeri, çipsa dhe 14 makineta për lojëra fati.

Është ndaluar dhe një 19-vjeçar që akuzohet se është autori i 8 vjedhjeve të ndodhur gjatë muajit Qershor dhe Korrik në qytetin e Durrësit.