Aktualitet Sekuestrohet toka në Ksamil, arrestohet 69-vjeçari

Sekuestrohet toka në Ksamil, arrestohet 69-vjeçari

Policia ka arrestuar një 69-vjeçar pasi akuzohet se ka tentuar të përfitojë një sipërfaqe toke në Ksamil, përmes dokumenteve të falsifikuara.

“Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Prevent”, u bë ndalimi i shtetasit S. O., 69 vjeç, banues në Sarandë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me pasoja të rënda”, tha policia.

Sipas autoriteteve, ky shtetas dyshohet se ka tentuar të përfitojë një sipërfaqe toke truall, në Ksamil, duke aplikuar pranë ASHK Sarandë, me dokumente të falsifikuara.

“Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u bë dhe ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi truallin me sipërfaqe 4950 metër katror, në Ksamil”.