Aktualitet Sekuestrohet vila e ish-bashkëshortes së Arben Ahmetaj në Palasë

Sekuestrohet vila e ish-bashkëshortes së Arben Ahmetaj në Palasë

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar këtë të enjte një vilë në zonën e Palasës, e cila dyshohet se është në pronësi të ish-gruas së Arben Ahmetaj, Albina Mancka.

Vila ndodhet në një kompleks rezidencial dhe mban numrin 73.

Sekuestrimi është bërë nga SPAK me miratimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Ky zhvillim vjen tre ditë pasi SPAK njoftoi se ish-zëvendëskryeministrit është marrë zyrtarisht nën hetim për tre vepra penale, si “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Ahmetaj po hetohet nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorëve.

Pak ditë më parë, ai kundërshtoi kontrollet e ushtruara në banesën e bashkëjetueses së tij, si dhe banesën e ish-gruas.

Në ankimim citohej se kontrollet janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cënojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Kontrolli u ushtrua në një vilë në zonën e Hamallajt, ku u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë ndërtesë.

Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente.