Kulturë Selena Gomez thotë se “nuk ka qenë në internet” prej 4 vitesh:...

Selena Gomez thotë se “nuk ka qenë në internet” prej 4 vitesh: Më bën të ndihem normale

Selena Gomez është më e lumtur pa rrjetet sociale. Këngëtarja dhe aktorja gjatë një interviste për “Good Morning America”, talk show i mëngjesit në networkun Abc, u kthye të flasë për shëndetin e saj mendor, një temë që ajo e ka shumë të shtrenjtë dhe për të cilën ka folur disa herë.

Kanë kaluar vite që kur Gomez u cilësua si “mbretëresha e Instagramit”: profili i këngëtares ishte më i ndjekuri në botë dhe në raste të ndryshme fotot e saj thyen rekorde ndërveprimesh. Pastaj Selena Gomez kaloi një periudhë të gjatë larg rrjeteve sociale dhe nga aty vendosi t’i përdorë ato me një kursim të madh. Fotot dhe videot e publikuara në profilin e saj janë rralluar me kalimin e kohës dhe shpesh janë të lidhura me një projekt apo një mesazh, siç bëri kur lançoi markën e saj të make up “Rare Beauty” ose më së fundmi platformën e saj Wondermind, që ofron falas burime online për shëndetin mendor.

“Nuk kam përdorur internet dhe rrjete sociale për katër vite e gjysmë dhe kjo e ka ndryshuar plotësisht jetën time. Jam më e lumtur, jam më prezente, lidhem më shumë me njerëzit. Më bën të ndihem normale”, është shprehur ajo.

Selena Gomez, që në korrik do të mbushë 30 vjeç, ka rrëfyer gjithashtu se të qenit e famshme që fëmijë, si yll i Disney, e ka shtyrë të marrë këtë vendim: “Duke u rritur në qendër të vëmendjes më ka mësuar shumë gjëra. Nuk arrij ta besoj sa mirë që ndihem mendërisht vetëm sepse mora vendimin të dilja jashtë nga kjo, sepse nuk është normale”. Dhe lidhur me platformën “Wondermind”, Selena tha: “Nëse njihem për diçka, shpresoj të jetë për mënyrën se si kujdesem për njerëzit. Dua që njerëzit të kuptohen, shihen dhe dëgjohen”.