Aktualitet Selenica në zi pas masakrës, këshilli bashkiak do mbulojë shpenzimet mortore

Selenica në zi pas masakrës, këshilli bashkiak do mbulojë shpenzimet mortore

Këshilli bashkiak i Selenicës shpalli sot ditë zie dhe vendosi të mbulojë të gjitha shpenzimet e ceremonisë mortore të 8 familjarëve të familjes Zykaj.

Këshilli bashkiak është mbledhur me urgjencë për të marrë këto dy vendime.

Trupat e pajetë të viktimave të masakrës së Ridvan Zykajt në fshatin Resulaj kanë mbërritur sot në shtëpitë e tyre nga ku do të përcillen për në banesën e fundit.

Zia është hapur në tre shtëpi, në shtëpinë ku jetonte Demir Zykaj 75 vjeç dhe Perie Zykaj 72 vjeç, vëllai i gjyshit të autorit, në shtëpinë Besim Zykajt dhe në shtëpinë e Azem Zykajt.

Besim dhe Azem ishin djemtë e Demirit.

Pasditen e së premtes, 24-vjeçari mori vendimin makabër për të kryer aktin e rëndë që ka tronditur mbarë opinionin.

Ai fillimisht shkoi në shtëpinë e Demirit dhe pasi i ka ekzekutuar së bashku me bashkëshorten ka shkuar në banesën e Besimit.

Aty ka vrarë Besimin dhe bashkëshorten e tij, Vasilika dhe dy fëmijët, Sarën, 16 vjeçe dhe Ledionin 8 vjeç.

Kur kanë dëgjuar britma e të shtëna Azemi dhe Afërdita kanë shkuar në banesën e Besimit për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Aty janë ekzekutuar dhe Afërdita dhe Azemi.

Tre viktima janë gjetur të vrarë në oborr, ndërsa të tjerët janë gjetur brenda në banesa.

Ridvan Zykaj pas ngjarjes u arratis dhe u kap mëngjesin e sotëm në dalje të Selenicës.

Gjatë marrjes në pyetje 24-vjeçari ka kërkuar avokat për të folur për masakrën, ndërsa ka pranuar edhe autorësinë e vrasjes së 8 familjarëve të fisit të tij, mes tyre 3 gra dhe dy fëmijë.