Aktualitet Selenicë, 47-vjeçari ekzekutohet me tre plumba. Zbardhet dinamika e krimit

Selenicë, 47-vjeçari ekzekutohet me tre plumba. Zbardhet dinamika e krimit

Një person është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Selenicë të Vlorës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në pragun e shtëpisë së viktimës, pranë shkollës 9-vjeçare, që ndodhet në hyrje të fshatit Resulaj.

Policia thotë se viktima quhet Nikolla Ikonomi, 47-vjeç dhe është qëlluar me armë tip pistoletë.

Viktima me dy emra

Po sipas policisë, viktima ka ndërruar emër dhe mbiemër dhe nga bashkëfshatarët njihej me emrin Laver Tozaj.

47-vjeçari është qëlluar me 3 plumba

47-vjeçari ka qenë duke pirë në lokalin e fshatit para se të ekzekutohej. Një person i paidentifikuar e vëzhgonte në distancë. Pasi viktima ishte larguar nga lokali, autori e kishte ndjekur dhe pas rreth 100 metrash e kishte qëlluar me tre plumba pistolete. Duke përfituar nga errësira dhe terreni, vrasësi u largua në drejtim të paditur.

Fillimisht ai u gjet i plagosur nga disa kalimtarë, të cilët e transportuan për në spitalin rajonal të Vlorës me një makinë private, por për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Pista ku po heton policia

Pista që po heton policia është ajo e vrasjes për motive hakmarrje, për shkak edhe të kaluarës së viktimës.

Nuk ka ende asnjë informacion për autorin e kësaj vrasje. Ndërkohë drejt vendit të ngjarjes për kapjen e autorit kanë shkuar edhe  forcat Renea, te cilat në bashkëpunim me policinë e shtetit kane rrethuar vendin e ngjarjes dhe kane ngritur postblloqe në pikat hyrëse dhe dalëse.