Kryesore Senati: Lironi universitetin! Pedagogët e ministrja nuk arrijnë konsensus

Senati: Lironi universitetin! Pedagogët e ministrja nuk arrijnë konsensus

Senati i Univeristetit të Tiranës votoi këtë të premte pa asnjë votë kundër, për lirimin e menjëhershëm të hapësirave të fakulteteve që mbahen të bllokuara nga studentët, e që nuk lejojnë pjesën tjetër që të zhvillojnë mësim.

Senati iu bashkua përmes kësaj vendimmarrjeje shumicës dërrmuese të studentëve që duan të zhvillojnë mësim. Për shkak të bllokimit të Fakultetit Juridik, mësimi është zhvilluar ditët e fundit në mjediset e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

Mëngjesin e të premtes, ministrja e Arsimit priti në takim një përfaqësi pedagogësh, të cilët kishin lënë si afat për plotësimin e kërkesave 1 shkurtin, në të kundërt do të hynin në grevë. Pas dy orëve diskutim, pedagogët nuk moën zgjidhje.

“Ne qamë hallet, u shprehëm te ministrja në mënyrë shumë të diversifikuar, sepse të 6 pedagogët kishim mendime të ndryshme mbi problematikat. Kjo tregon sa proces të shëndetshëm arsimor kemi ndjekur deri në këtë pikë. Zero reagim për asnjë nga pikat, qoftë për studentët, qoftë për VKM-të, qoftë për ligjin”, tha pedagogu Rezart Prifti.

Mesnata do të jetë koha e lënë në dispozicion të ministres, në të kundërt pedagogët do të vënë në zbatim paralajmërimin për grevë.

“Ministrja u përpoq të na mbushte mendjen se, sa i mirë ishte pakti i qeverisë për arsimin. Do të presim normalisht deri në darkë, se ndoshta ministrja bëhet më konkrete në përgjigjen e saj, në të kundërt, nëse s’do të ketë qëndrim, do ta konsiderojmë si refuzim të kërkesave tona dhe do t’i drejtohemi trupës akademike për një grevë të përgjithshme të pedagogëve”, tha Mark Marku.

Adresa e zgjidhjes së problematikave që pedagogët kanë ngritur, sipas ministres së Arsimit nuk është gjithmonë në duart e saj, por të vet universitetit. Megjithatë, ministrja Shahini ndan bindjen se qëllimin e kanë të përbashkët, përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri.

“Ata më dëgjuan mua, unë i dëgjova ata. Edhe pse nuk ramë dakord, në fund unë mendoj se kjo është krejt normale. Nuk besoj se bojkoti dhe ultimatumet janë mjetet e nevojshme në këtë periudhë, kur e gjithë vemendja jonë është tek arsimi i lartë”, tha Besa Shahini, ministre e Arsimit.