Aktualitet Sërish viktima nga Covid-19, Kraja: I moshuari i pavaksinuar, si të gjithë...

Sërish viktima nga Covid-19, Kraja: I moshuari i pavaksinuar, si të gjithë të shtruarit në spital

Situata e re epidemiologjike me “Deltën” në qarkullim, po rrit të infektuarit dhe shtrimet në spital. Pas 1 muaji pa viktima nga Covid-19, 24 orët e fundit shërbimi infektiv ka raportuar vdekjen e një të moshuari, i cili ishte i pavaksinuar.

Infeksionisti Dhimitër Kraja tregon se ditët e fundit mjekët e spitalit Covid1 po përballen me një situatë të re. Numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbim spitalor por rritet nga dita në ditë, ndërsa të gjithë të shtruarit rezultojnë të pavaksinuar.

“Prej disa ditësh ndodhemi në një moment të tillë, që në spital ka disa të dhëna të reja. Nga pikëpamja statistikore kemi një shtim të vlerësueshëm të rasteve. Një karakteristikë të e përbashkët e tyre është se të sëmurët janë të gjithë të pavaksinuar. Virusi qarkullon ende në Shqipëri, duke ruajtur infektueshmërinë e tij”, thotë Kraja për A2.

Mjeku i spitalit infektiv, njëherësh ekspert i komitetit teknik, bën thirrje për vaksinimin e grupmoshave mbi 18 vjeç, për të frenuar përhapjen e variantit indian dhe rastet e rënda. “Duhet të vaksinohemi plotësisht. Jo vetëm dozën e parë. Veç vaksinimit duhet të respektojmë të gjitha rregullat e parandalimit të përhapjes së sëmundjes”.

Javët e fundit të infektuarit e rinj kanë shenjat tipike të “Deltës”, të cilat ndryshojnë nga mutacioni britanik dhe ai fillestar i Sars-Cov-2. Nuk shfaqet më heqje nuhatje dhe shije, por me rrugë, dhimbje koke, fyti, temperaturë dhe më pas kollë.

Numri i të sëmurëve aktive ka shkuar me tre shifra, mbi 300 raste në të gjithë vendin, ku sërish Tirana ka numrin më të lartë të të infektuarve, ndjekur nga qarku i Elbasanit dhe Kukësit./ A2