Sport Setién pranon situatën e vështirë te Barça, por jo përçarjen me senatorët

Setién pranon situatën e vështirë te Barça, por jo përçarjen me senatorët

Quique Setién u përball me një nga konferencat e tij më të vështira për shtyp të hënën, që kur është bërë trajner i Barçës. Tashmë me dy pikë mbas Real Madridit në renditje, gara për titull bëhet mjaft e vështirë. Ai doli para gazetarëve në prag të ndeshjes së radhës, kundër Atlético Madrid.

Për shkak të nivelit të rivalit, a keni ndjenjën se kjo është ndeshja më e vështirë e mbetur?

Të gjithë kemi parë që ndeshjet kundër Atlético Madridit janë të diskutueshme, të vështira. Kundërshtari ka mjaft alternativa, është një ekip i shkëlqyeshëm, i identifikuar me mënyrën e të bërit të gjërave nga Simeone. Me siguri, do t’i bëjnë gjërat më të vështira për ne. Sidoqoftë, edhe pjesa tjetër e ndeshjeve të mbetura do të jetë po aq e rëndësishme sa kjo. Fitorja tashmë është bërë jetike, sepse nuk ke mundësi të kompensosh asgjë, kanë ngelur edhe pak ndeshje. Do t’i kushtojmë rëndësinë e duhur kësaj ndeshje, por vlen tri pikë si të gjitha.

A mendoni se menaxhimi i kësaj situate është më i vështirë se sa keni menduar?

Jo. Është e vërtetë që gjithmonë ka polemika, sepse, ashtu si në jetë, të gjithë ne kemi mënyrën tonë për t’i parë gjërat. Kjo është gjë e zakonshme. Unë nuk isha një futbollist i lehtë as në atë kohë. Kam vizionin tim për gjërat. Mendoj se ka komunikim të mirë në skuadër dhe nuk iu kushtoj rëndësi pyetjeve specifike.

Ne e dimë që pas ndeshjes së fundit pati tension në dhomën tuaj të zhveshjes. A është prishur marrëdhënia e besimit te Barcelona?

Kur mungon fitorja dhe luhet një ndeshje me rëndësi të madhe për renditjen, normalisht që nuk mund të gëzosh. Ne jemi të shqetësuar me aspekte më të përgjithshme të skuadrës. Marrëdhënia me futbollistët është e mirë. Ka momente specifike, kur mund të ketë dallime, por nuk perceptoj asnjë problem që ia vlen të përmendet.

Të dielën patët një takim të tensionuar me lojtarët. Pastaj Pique tha se situata nuk është e duhura. A jeni i shqetësuar për të ardhmen tuaj?

Takime të tilla po i zhvillojmë më shpesh prej kalendarit. Dje folëm për shumë tema, por jemi përqendruar te futbolli, për t’i bërë gjërat më mirë. Situata që po kalojmë, ku epërsinë në lojë nuk e shndërrojmë dot në epërsi golash, shoqërohet me nervozizëm dhe zhgënjim. Por është diçka që mund të ndryshohet, nëse luajmë pak më lirshëm.

A jeni zot i Barçës në vendimmarrje apo ka yje aty, që sundojnë më shumë?

Të gjithë duhet të heqim dorë nga një pjesë e vetvetes, përfshirë futbollistët, për të mirën e ekipit. Barcelona si e tillë duhet të veprojë. Ndonjëherë duhet të sakrifikoni disa gjëra personale për të përfituar ekipi. Unë nuk e kam problem ta pranoj se është një situatë e re, një periudhë kur mëson shumë gjëra dhe gradualisht bën atë që dëshiron të bësh. Por, kjo nuk ka asnjë lidhje me lojtarët. Këto janë procese që koha i vendos të gjitha në vendin e vet.

A e shihni Arthur në formacion?

Unë nuk jam i varur nga ajo që tha nëna e Arthur. Ne presim angazhim më të madh prej tij deri në ndeshjen e fundit këtu. Ai është ende një lojtar i Barcelonës, deri në fund të sezonit, dhe ka premtuar se do të japë gjithçka për të arritur objektivat e klubit. Arthur është një djalë që do të nderohet deri në ditën e fundit.

A jeni më i dobësuar në rolin tuaj sesa kur keni mbërritur?

Absolutisht jo. Ndihem njësoj dhe do të ndihem kështu deri ditën e fundit. Gjëja e parë që nuk duhet të bëj është të humbas vetëdijen. Po bëj atë që mundem, gjërat po shkojnë përgjithësisht mirë. Kjo më qetëson dhe më lehtëson. Ndonjëherë rezultatet nuk varen nga unë. Tashmë e dini se si është futbolli. Unë mendoj se jemi duke bërë një punë të mirë dhe po përmirësohemi. Fitoret varen nga shumë gjëra. Ka momente dhe momente. Kur fitoni, ju kënaqeni; kur humbisni, nuk vleni asgjë.

Ka shumë zhurmë në media për figurën tuaj dhe të ardhmen e Arthur. A mund të përgatisni një ndeshje të tillë me kaq shumë hallakatje?

Sigurisht. Zhurma krijohet nga ju, gazetarët, unë qëndroj jashtë saj. Si trajner përqendrohem në gjërat që duhet. Unë nuk e di se çfarë lëviz në prapaskenë, derisa zyra e informacionit të më thotë diçka. Jam i përqendruar, e di si funksionon ky zanat dhe përpiqem të mos ndikohem sa futbollistët nga një rezultat negativ. Mua ma do puna të jem i qetë, të mos e humbas busullën, edhe kur rezultatet nuk ta krijojnë këtë komoditet.

A mendoni akoma që Real Madridi mund të lërë pikë në ndeshjet e mbetura dhe ju të përfitoni?

Ne mund të kontrollojmë atë që mund të kontrollojmë; pra veten, jo të tjerët.

Si mund ta sulmosh Simeone?

Atlético Madrid është një rival i ngurtë, aspak i lehtë për t’u depërtuar. Kjo është historia e tij në këto vite. Do të na duhet të lëvizim mirë në fushë, me kthjelltësi dhe saktësi, duke vepruar në hapësira të ngushta.

A mendoni se Griezmann ka humbur peshën specifike në ekip?

Realiteti është që 11 lojtarë mund të luajnë në formacion. Ju vazhdimisht më pyesnit pse nuk luanin Ansu, Riqui… Ndonjëherë do të luajnë ata, ndeshjen në vijim të tjerët. Kjo është në varësi të kundërshtarit, formës së secilit dhe asaj që shoh në stërvitje. Por, të gjithë janë të rëndësishëm, të gjithë kanë mundësi. Ka lojtarë me një hierarki të veçantë, por të gjithë mund të luajnë ose jo.

Çfarë ndodhi mes Messit dhe Sarabia (ndihmëstrajnerit)?

Asgjë e veçantë. E vërteta është kjo. Nuk e di se çfarë doni të them.

Po nuk fituat nesër, a i thoni lamtumirë titullit?

Ne besojmë derisa matematika të na e lejojë këtë gjë. Realiteti e do që të fitojmë çdo ndeshje të mbetur. Pastaj, le të shohim çfarë do të ndodhë.