Sport Sfida e re e Mayweather, basketboll me Kobe Bryant

Sfida e re e Mayweather, basketboll me Kobe Bryant

Floyd Mayweather nuk ka ndërmend të pushojë plotësisht. Boksieri që tashmë është tërhequr nga aktiviteti dhe që ka më shumë kohë të lirë, është vënë në kërkim të sfidave të reja për të pasuruar akoma më shumë shpirtin e tij aventurier.

Ideja e fundit që i erdhi në mendje 40-vjeçarit është dueli me Kobe Bryant. Nuk bëhet fjalë për një duel në ring me legjendën e Los Angeles Lakers, por në një sfidë vetëm për vetëm në basketboll, duke vendosur edhe një çmim për fituesin: 1 milion dollarë.

Sfidën ndaj Bryant e bëri në një formë të veçantë, duke iu përgjigjur një postimi në Instagram të Kobe Bryant, i cili bënte të ditur daljen e dokumentarit të tij “Dear Basketball”.

“Jam gati të përballem me ty në lojën një për një në basketboll për 1 milion dollarë”, iu drejtua Mayweather ish-basketbollistit, me boksierin që është një admirues i sportit të basketbollit. Për momentin, Kobe Bryant nuk i ka kthyer përgjigje Mayweatherit, ose thjesht po mendon se ka gjëra më të mira për të bërë në periudhën e Krishtlindjeve.