Opinione Shah i vështirë në Mesdhe

Shah i vështirë në Mesdhe

| Nga Alexis Papachelas
Shpërndaje

Alexis Papachelas*

Ajo që filloi “aksidentalisht” në një restorant në Moskë sot ka evoluar në një marrëdhënie strategjike. Bëhet fjalë për bashkëpunimin e Greqisë, Izraelit dhe Qipros. Kjo tregon se çfarë është i aftë të bëjë vendi ynë kur ka vazhdimësi në politikën e jashtme, pa marrë parasysh se cila qeveri është në pushtet.

Le të mos kemi asnjë dyshim. Asgjë nuk do të ndryshojë në këtë drejtim edhe me ardhjen në pushtet të një qeverie të drejtuar nga Mitsotakis. E njëjta gjë vlen edhe nëse Netanjahu humbet. Përplasja me Erdogan mund të jetë personale, por shteti i Izraelit nuk i beson Turqisë.

Ankaraja po i sheh me shqetësim dhe zhgënjim në rritje këto zhvillime. Fakti që Presidenti amerikan, Donald Trump dërgoi ministrin e Jashtëm, Mike Pompeo në takimin tripalësh të Jeruzalemit, ka shkaktuar tronditje. Në Turqi janë të vetëdijshëm se qëllimi i Trump është të forcojë Netanjahun në prag të zgjedhjeve. Megjithatë, prezenca e Pompeos ishte një sinjal i fortë nga Uashingtoni.

Turqia zyrtarisht, por edhe në prapaskenë kërcënon të ndërmarrë veprime që do të parandalojnë krijimin e një pakti të tillë. Qëllimi i tij kryesor është që të mos zgjerohet Zona Ekskluzive Ekonomike në jug të Kastelorizos ​​dhe të kufizohen kërkimet në Zonën Ekskluzive Ekonomike të Qipros. Diplomatët turq shpesh e quajnë Kastelorizon ​​”një kurth të madh të marrëdhënieve greko-turke”. Ata duan ta përjashtojnë atë nga negociatat mbi Egjeun dhe këmbëngulin që ajo të mos i përkasë Zonës Ekskluzive Ekonomike që Greqia ndan me Turqinë.

Javët e ardhshme do të jenë kritike. Nën presion dhe i tronditur Erdogan po i bie daulleve nacionaliste. Në Athinë, ne kemi një qeveri të dobësuar përballë probabilitetit të humbjes në zgjedhje. Mundësia e provokimit të tensioneve të mëtejshme është e madhe. Marrëdhënia me Izraelin është e thellë dhe strategjike, por ajo padyshim nuk shtrihet në ofrimin e garancive mbi sigurinë. Prandaj, përtej euforisë të shkaktuar nga prania e Pomoeos kërkohet maturi dhe kujdes. Shahu në këtë rajon  nuk ka qenë kurrë një detyrë e lehtë.

*Kathimerini.gr