Bota SHBA akuzon dy punonjës të Twitterit për spiunazh në favor të Arabisë...

SHBA akuzon dy punonjës të Twitterit për spiunazh në favor të Arabisë Saudite

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka akuzuar dy ish-punonjës të Twitterit për spiunazh ndaj përdoruesve në emër të Arabisë Saudite.

Akuzat e zbuluara në një gjykatë të San Franciskos tregojnë se Ali Alzabarah dhe Ahmad Abouammo përdorën kredencialet e tyre si punonjës të Twitter-it për të marrë informacione në llogari të përdoruesve të veçantë të Twitter.

Abouammo, një qytetar amerikan, u arrestua të martën. Alzabarah, një qytetar saudit, mbetet i lirë.

Prokurorët thanë që Abouammo falsifikoi dokumentet dhe gënjeu agjentët e FBI-së.

Alzabarah akuzohet se ka hyrë në të dhënat personale të më shumë se 6.000 përdoruesve të Twitter-it në vitin 2015, duke përfshirë një shtetas saudit i cili ishte mik i Jamal Khashoggit, gazetari i Washington Postit i cili dyshohet se u vra dhe trupi i tij u shpërbë nga agjentët sauditë.

Një person i tretë, shtetasi saudit Ahmed Almutairi, akuzohet për spiunazh dhe ka shërbyer si ndërmjetës midis punonjësve të Twitterit dhe zyrtarëve sauditë.

Alzabarah dhe Almutairi besohet se janë në Arabinë Saudite.