Bota SHBA anulon për momentin kalimin e anijeve për në Detin e Zi

SHBA anulon për momentin kalimin e anijeve për në Detin e Zi

CNN Türk raporton se Ministria e Jashtme e Turqisë ka marrë njoftim nga ambasada amerikane në Ankara për anulimin, të paktën për momentin, të kalimit përmes ngushticave turke të 2 anijeve amerikane me destinacion Detin e Zi. Kalimi ishte programuar për datën 15 prill, por nuk ka konfirmim nëse është shtyrë për një datë tjetër, apo është anuluar përfundimisht.

Anijet amerikane që priteshin të mbërrinin në Detin e Zi janë dy destrojerë amerikanë “USS Donald Cook” dhe “USS Roosevelt”. Si kundërpërgjigje për lëvizjen amerikane, Rusia nisi një operacion ushtarak në Krime, duke rreshtuar dy anije me arsenal të rëndë, “Graivoron” dhe “Vyshny Volochek”, dhe disa anije të tjera.

Në zonë, tensioni mbetet i lartë, pas riaktivizimit të disa forcave rebele pro ruse në rajonin e Luhanskut, që është pjesë e Ukrainës, por kërkon të shkëputet. Rusia ka rreshtuar disa dhjetëra mijëra forca në kufirin tokësor me Ukrainën, ndërsa kjo e fundit po përgatitet për një pushtim të mundshëm. Perëndimi kërkon largimin e trupave ruse, por Moska thotë se po kryen thjesht manovra stërvitore që nuk përbëjnë kërcënim.

Gjatë një bisede telefonike këtë të enjte, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, u pajtuan mbi faktin se një reduktim i trupave ruse në kufi me Ukrainën do të ndihmonte në uljen e tensioneve në rajon. Bisedimet mes Merkel dhe Biden pasuan një diskutim të ministrave të NATO-s në Bruksel të cilët ngritën çështjen e situatës në kufirin Rusi-Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të “ndalojë provokimet”.