Bota SHBA: Botuesi i dytë më i madh i gazetave shpall falimentimin

SHBA: Botuesi i dytë më i madh i gazetave shpall falimentimin

McClatchy, botuesi i dytë grupi i dytë më i madh i gazetave në Shtetet e Bashkuara, depozitoi të enjten kërkesën për falimentim, në shenjën e fundit të krizës në sektorin e medias.

Kompania tha se do të vazhdojë të nxjerrë 30 gazeta lokale, përfshirë Miami Herald dhe Kansas City Star, ndërsa përpiqet të eliminojë një pjesë të mirë të borxheve dhe të përqendrohet tek “transformimi dixhital”.

Një plan riorganizimi përfshirë në kërkesën për mbrojtje nga falimentimi, parashikon kalimin e pronësisë të rrjetit të gazetave tek grupi privat i kapitalit “Chatham Asset Management”.

Deklarimi i falimentimit synon eliminimin e një pjese të borxhit masiv të grupit McClatchy.

“McClatchy vazhdon të mbetet një kompani e fuqishme me një angazhim të qëndrueshëm ndaj gazetarisë së pavarur, ndër pesë breza të familjes time”, tha kreu i bordit, Kevin McClatchy.

“Ky ristrukturim është një hap i nevojshëm dhe pozitiv përpara për biznesin”, shtoi ai.

Kjo lëvizje vjen në klimën e thellimit të krizës në industrinë e gazetave, ndërsa shumica e kompanive që kanë breza që janë në biznes, po hasin vështirësi të mbijetojnë me zhvendosjen tek media dixhitale dhe me kalimin e të ardhurave nga reklamat tek platformat teknologjike.

Gannett, botuesi më i madh i gazetave në Shtetet e Bashkuara ra dakord vitin e kaluar të bashkohej me rivalin GateHouse, në një marrëveshje që synonte përballimin e sfidave në këtë sektor.

Disa ish- gazeta të përditshme prestigjioze janë përballur me falimentimin dhe vlera e disa të tjerave ka rënë ndjeshëm.

Rreth 2 mijë gazeta amerikane, shumica të përjavshme janë zhdukur gjatë dekadës së kaluar ashtu si edhe rreth gjysma e vendeve të punës në gazeta, sipas disa studimeve.

Dan Kennedy, një profesor gazetarie në Universitetin Northeastern, tha se vështirësitë e McClatchy-t janë në vazhdën e “asaj që kemi parë me pronësinë e rrjeteve të korporatave”, duke hyrë thellë e më thellë në borxhe, gjë që i ka penguar të investojnë në teknologjitë e së ardhmes./VOA