Bota SHBA dhe BE “bashkojnë dyshimet” mbi origjinën e Covid-19

SHBA dhe BE “bashkojnë dyshimet” mbi origjinën e Covid-19

Përpjekjeve nga Shtetet e Bashkuara për të hedhur dritë mbi dyshimet se COVID-19 e ka origjinën nga laboratori i Wuhanit në Kinë, pritet t’i bashkangjitet edhe Bashkimi Europian.

Agjencia e lajmeve Reuters citon një projekt-dokument të brendshëm të Komisionit Europian, ku thuhet se kjo do të jetë një prej temave të diskutimit të një samiti që pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Uashingtoni dhe Brukseli pritet të bien dakord të dalin me një qëndrim të përbashkët, ku do të kërkojnë një studim të ri për gjetjen e prejardhjes së COVID-19 që i ka marrë jetën deri më tani 3.7 milionë njerëzve. Liderët pritet të kërkojnë hetim transparent dhe të ndershëm edhe për pistën e daljes së pakontrolluar të virusit nga laboratori i Wuhanit.

Vitin e kaluar, një ekip faktmbledhës i OBSH-së që vizitoi edhe këtë laborator, përjashtoi mundësinë që koronavirusi të ketë dalë prej andej. Ekspertët vlerësuan se vazhdimi i hetimit duhet të përqëndrohet tek mutacioni i virusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit.

Presidenti amerikan Joe Biden nisi këtë të mërkurë, turin e tij të parë 8-ditor në Europë, ku merr pjesë edhe në samitet e G7-ës dhe NATO-s. Turi synon rigjallërimin e marrëdhënieve SHBA-BE pas ftohjes që pësuan nën administratën Trump.