Bota SHBA, identifikohet kush i dërgoi Trumpit letrën me helm

SHBA, identifikohet kush i dërgoi Trumpit letrën me helm

Një grua është identifikuar si e dyshuara kryesore për letrën me helm që iu dërgua presidentit Trump. Letra nuk mbërriti kurrë në Shtëpinë e Bardhë, pasi u zbulua në qendrën e dërgesave të jashtme të qeverisë.

“Byroja Federale e Hetimit dhe bashkëpunëtorët tanë nga Shërbimi Informativ i ShBA dhe Shërbimi i Kontrollit Postar po analizojnë letrën e dyshimtë, e cila mbërriti në Qendrën e Dërgesave të Qeverisë Amerikane”, tha FBI në një deklaratë, siç raporton “New York Times”. Në këtë moment, nuk ka indikacione se siguria publike është e rrezikuar.

Letra të ngjashme iu dërguan departamenteve të zbatimit të ligjit në Teksas, duke përfshirë një burg dhe një zyrë sherifi. Grupi i Përbashkët i Kundërterrorizmit me qendër në Uashington filloi një hetim me ndihmën e policisë së Nju-Jorkut dhe Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP).

Hetuesit thanë se nuk u krijua asnjë lidhje midis letrës së përgjuar dhe organizatave terroriste ndërkombëtare, pa zbuluar prova. Zyrtarët, megjithatë, thonë se hetimi është në një fazë të hershme dhe nuk përjashtojnë ndonjë mundësi për tani.

Ky nuk është sulmi i parë i këtij lloji.

Një veteran i marinës amerikane akuzohet se u përpoq të dërgojë zarfe që përmbajnë ricin tek disa zyrtarë amerikanë në 2018.

Ish-Presidenti i SHBA Barack Obama ishte gjithashtu shënjestra e një sulmi me ricin. Në vitin 2013, aktorja Shannon Richardson u dënua me 18 vjet burg për dërgimin e letrave të helmuara nga ricini te Obama dhe Michael Bloomberg, kryetari i atëhershëm i Nju Jorkut.