Bota SHBA–Iran, përshkallëzohen tensionet. Trump: Nuk më duhet leja e Kongresit për të...

SHBA–Iran, përshkallëzohen tensionet. Trump: Nuk më duhet leja e Kongresit për të sulmuar

“Nuk më duhet leja e Kongresit për një sulm ndaj Iranit”. Është kjo deklarata e presidentit amerikan Donald Trump i cili në një intervistë për “The Hill” shpjegoi se i pëlqente ideja që të kishte Kongresin me vete, por nuk i duhet autorizimi i tij për të vijuar me sulmin. Një leje që sipas Nancy Pelosit është e domosdoshme, por Trump nuk bie dakord.

Nga ana tjetër reagon dhe Teherani zyrtar duke thënë se me “sanksionet e reja sterile ndaj Iranit (këtë herë objektivi është personalisht Guida supreme Ali Khamenei) Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë fund përgjithmonë rrugës së diplomacisë mes Uashingtonit dhe Teheranit“. Deklarata është bërë në Twitter nga zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane. Ai shton se qeveria e dëshpëruar e Trump është gati të bëjë çdo gjë për të shkatërruar mekanizmin e konsoliduar ndërkombëtar nëpërmjet të cilit ruhen paqja dhe siguria.

Reagimi iranian vjen një ditë pas urdhrit ekzekutiv të firmosur nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të vendosur sanksione ndaj autoritetit më të lartë Iranian Khamenei, dhe deklaratave të Sekretarit amerikan të Thesarit për të vendosur sanksione dhe ndaj ministrit të Jashtëm iranian.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e tyre shprehen të gatshëm për negociata me Iranin, e vetmja gjë që duhet të bëjë Teherani është të kalojë në derën e hapur. Deklarata u bë në Jeruzalem nga këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare Xhon Bolton.

Por presidenti iranian Rohani reagoi menjëherë duke thënë se teksa Uashingtoni bën apel për negociata, njëkohësisht vendos dhe sanksione ndaj ministrit të jashtëm. Është e qartë që po gënjejnë për sa i përket qëllimit tuaj për të dialoguar me Iranin.