Bota SHBA/ Karriera në ushtri do të kushtëzohet me vaksinën anti-Covid

SHBA/ Karriera në ushtri do të kushtëzohet me vaksinën anti-Covid

Kufizimet në karrierë po përdoren si formë për të nxitur vaksinimin në radhët e ushtrisë amerikane. Ata që refuzojnë vaksinën nuk do të mund të përfitojnë përtej gradës që kanë.

Në një memo që mban firmën e sekretares së Ushtrisë, Christine Wormuth, ushtarët në detyrë aktive, rezervistët dhe gardistët që refuzojnë vaksinën nuk do të kenë mundësi të riregjistrohen, të promovohen dhe shkollohen.

Por nuk do të përjashtohen automatikisht. Hipotetikisht, një ushtar me vite të mbetura në kontratë mund të shërbejë ende, por nuk do të avancojë në karrierë dhe nuk do t’i rinovohet kontrata.

Afati i fundit për t’u vaksinuar është 15 dhjetori për ushtarët aktivë dhe 30 qershori për trupat e Rezervës dhe Gardës Kombëtare të Ushtrisë.

Vendimi i ushtrisë për të liruar ushtarët e pavaksinuar është një shmangie nga pjesa më e madhe e Departamentit të Mbrojtjes. Të gjitha degët e tjera të shërbimit kanë lëshuar udhëzime për të filluar largimin e trupave që refuzojnë vaksinimin.

Vendimi për të ndëshkuar në këtë mënyrë ushtarët që nuk pranojnë vaksinën ka hapur një debat të madh dhe ka çuar në përplasje administratën qendrore me atë të shteteve. Rasti më i fundit është ai i Gardës Kombëtare të Oklahomas dhe Pentagonit, të cilat u gjetën në pozita të kundërta pas vendimit të gjeneralit Thomas Mancino, për të anuluar rregullat e vaksinës së Departamentit të Mbrojtjes, duke lëshuar një memo që njoftonte ushtarët se nuk do t’u kërkohet të vaksinohen.

Garda varet kryesisht nga guvernatori i shtetit, nëse nuk aktivizohet në mënyrë federale, çka i lë më pak autoritet Pentagonit për këtë çështje.

Megjithatë, në radhët e ushtrisë nuk ka zëra të fuqishëm që kundërshtojnë vaksinimin me detyrim. Që nga java e kaluar, 92% e ushtarëve në detyrë aktive janë vaksinuar plotësisht, duke tejkaluar popullsinë e përgjithshme të SHBA, e vaksinuar deri tani në masën 59%, sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.