Bota SHBA kërkon pezullimin e menjëhershëm të vaksinës Johnson & Johnson

SHBA kërkon pezullimin e menjëhershëm të vaksinës Johnson & Johnson

Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe Agjencia për Barnat dhe Ilaçet në SHBA (FDA) kanë rekomanduar që të pezullohet përdorimi i vaksinës së Johnson & Johnson, mbi raportimet se ka pasur 6 raste të shfaqjes së mpiksjes në gjak.

6 rastet janë regjistruar mes 6,8 milionë personave të vaksinuar me vaksinën Johnson & Johnson në Amerikë. Të gjashta rastet u vunë re mes femrave të moshës 18 deri në 48 vjeç, me simptomat që u dalluan pas 6-13 ditë pas vaksinimit. Prej tyre njëra ka vdekur, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike në spital.

“Po analizojmë këto raste dhe po i hetojmë. Derisa të përfundojë ky proces, rekomandojmë ndalimin e përdorimit të kësaj vaksine, si masë paraprake”, shprehet Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ky njoftim i FDA-së dhe CDC-së nënkupton që të gjitha agjencitë shëndetësore federale amerikane që kanë administruar më herët vaksinën Johnson & Johnson të ndalojnë për momentin përdorimin e saj. Agjencitë rekomandojnë që edhe shtetet të bëjnë të njëjtën gjë.

Sipas agjencive shëndetësore edhe në Europë janë të paktën 4 raste të pazakonta mpiksjeje gjaku që janë raportuar tek të vaksinuarit me Johnson & Johnson.