Bota SHBA, krijohet një komision për shqyrtimin e çertifikatave të sigurisë për avionët

SHBA, krijohet një komision për shqyrtimin e çertifikatave të sigurisë për avionët

Një panel i pavarur ekspertësh do të shqyrtojë se si rregullatorët në Shtetet e Bashkuara çertifikojnë avionët si të sigurt për fluturim, pas dy rrëzimeve vdekjeprurëse të avionëve Boeing 737-MAX 8.

Departamenti Amerikan i Transportit njoftoi formimin e panelit, të quajtur Komisioni Special i Inspektimit.

“Siguria është përparësia kryesore e Departamentit (të Transportit) dhe ky rishikim nga ekspertët e jashtëm do të ndihmojë në përcaktimin nëse mund të bëhen përmirësime në procesin e çertifikimit të Administratës Federale të Aviacionit (FAA)”, tha të hënën Sekretarja e Departamentit të Transportit, Elaine Chao.

Gjenerali i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara në pension, Darren McDew dhe ish-presidenti i Shoqatës së Pilotëve, Kapiteni Lee Moak, do të jenë drejtues të përkohshëm të panelit derisa ai të plotësohet me “një grup të larmishëm të anëtarëve të industrisë së aviacionit”.

Sipas njoftimeve të javës së kaluar, FBI-ja po merr pjesë në një hetim penal mbi procesin që çertifikon sigurinë e avionëve të pasagjerëve.

Në Uashington janë ngritur pyetje lidhur me dyshimet për lidhje të ngushta mes kompanisë Boeing, prodhuesit më të madh të avionëve në botë, dhe Administratës Federale të Aviacionit.

Administrata Federale e Aviacionit lëshoi një deklaratë të hënën duke pohuar se “kurrë nuk i ka lejuar kompanitë që ato vetë të jenë përgjegjëse për çertifikimin e avionëve të tyre”.

Rrëzimi i një avioni Boeing 737-MAX 8 në Indonezi në tetor dhe rrëzimi i një avioni tjetër Boeing 737 MAX 8 në Etiopi dy javë më parë shkaktuan vdekjen e 346 njerëzve.

Hetuesit thonë se kanë parë ngjashmëri në të dyja aksidentet. Ata dyshojnë se një sistem manovrimi që kontrollon hundën e aeroplanëve për të parandaluar ngadalësimin në ajër, mund të ketë kontribuar në rrëzimin e tyre.

Kompania Boeing ka filluar të punojë në përmirësimin e programit të ri për të rregulluar problemin.

Ndërkohë, linjat ajrore anembanë botës kanë pezulluar përdorimin e avionit Boeing 737 MAX 8 të paktën derisa të përfundojnë hetimet mbi rrëzimin e dy avionëve.

Kompania Boeing planifikon të njoftojë të mërkurën rreth 200 pilotë, teknikë dhe rregullatorë federalë mbi përpjekjet e saj për ta përmirësuar sigurinë e avionit 737 MAX 8.