Kosova SHBA kundër reciprocitetit të Albin Kurtit ndaj Serbisë

SHBA kundër reciprocitetit të Albin Kurtit ndaj Serbisë

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka paralajmëruar kundër Serbisë.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, e kjo pa reciprocitet.

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin.

“Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, shtoi ai.

Jeta Krasniqi, analiste nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë, se deklarata e ambasadorit Grenell shpreh qëndrimin e qartë të SHBA-së që edhe taksa të hiqet, por mos të vendoset asnjë masë tjetër, siç është përmendur reciprociteti.

Qeveria e re, thotë ajo, ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit kundër Serbisë, por ende nuk është sqaruar nga si do të zbatohet kjo politikë të cilën ata e kanë sugjeruar.

“Gjithsesi është një vendim i cili mbetet Qeverisë së Kosovës. Por, ajo që kemi kërkuar ne si KDI, ku lidhet më procesin e dialogut, është që të ketë një konsensus sa më të gjerë politik dhe i mbetet kryeministrit Kurti të ndërmarrë masa për të ndërtuar një konsensus sa më të gjerë politik. Por, i mbetet Qeverisë se Kosovës se çfarë masash do të ndërmarrë dhe si do veprojë lidhur më taksës dhe reciprocitetin”, tha Krasniqi.

Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018.

Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit javën e kaluar, ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë dhe se reciprociteti do të zbatohet në aspektin ekonomik, tregtar dhe politik.

Zotimi i Kurtit për heqjen e taksës – e cila është bërë shkak i bllokimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë – ka nxitur reagime të ashpra nga opozita në Kosovë.

Kjo ka bërë që Grenell t’i drejtohet Kadri Veselit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës – subjektit më të madh opozitar, duke i thënë se “taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet” dhe se Kurti ka të drejtë në këtë drejtim. /REL/