Bota SHBA mban në fuqi kufizimet për të huajt

SHBA mban në fuqi kufizimet për të huajt

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të mbajnë të pandryshuara kufizimet për udhëtimet për shtetasit e huaj që duan të hyjnë në territorin e saj.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se vendimi për të lënë në fuqi këto kufizime vjen për shkak të përhapjes së variantit Delta, sidomos në Europë dhe në Azi.

Aktualisht, SHBA ka ndaluar hyrjen për shumicën e jorezidentëve nga vendet e Bashkimit Evropian, Britania e madhe, India, Kina, Brazili, Afrika e Jugut dhe Irani.

Ndërkohë që Qendrat Amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, kanë lëshuar paralajmërime kundër udhëtimit në Spanjë, Portugali, Qipro dhe Kirgistan, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në këto vende.

Për shkak të përhapjes së virusit një pjesë e shteteve amerikane kanë nisur të nxisin vaksinimin si mënyra më e mirë për të luftuar pandeminë por edhe për të shpëtuar ekonominë nga ndonjë mbyllje tjetër.

Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio, vuri gjysmën e Shtatorit si afatin e fundit për të gjithë punëtorët që të vaksinohen kundër koronavirusit, pasi në kundërtën do të duhet të bëjnë teste çdo javë, për të parë nëse janë negativ në të.

Vendimi i tij pritet të rrisë presionin për vaksinim të më shumë se 300,000 punëtorë të Nju Jorkut, përfshirë mësues dhe zyrtarë policorë.

Të hënën shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan për 36 mijë raste dhe 130 humbje jete.