Bota “SHBA nuk do të hezitojë të dënojë aktorët e korruptuar dhe destabilizues...

“SHBA nuk do të hezitojë të dënojë aktorët e korruptuar dhe destabilizues të Ballkanit Perëndimor”

SHBA nuk do të hezitojë të përdorë sanksionet për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues në rajon, deklaroi Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, sipas euractiv.com.

Ai vlerësoi se politika identitare, e cila ndan dhe që ka penguar përparimin e rajonit në të kaluarën, nuk ka bërë asgjë për interesat e popujve të Ballkanit Perëndimor.

“Që Mali i Zi të bëjë përparim konkret në rrugën e tij euroatlantike, liderët politikë, shoqëria civile dhe të gjithë ata që besojnë në të ardhmen evropiane të vendit duhet të punojnë së bashku për të krijuar një shoqëri civile”, theksoi Escobar.

Ai shpjegoi se në një shoqëri të tillë, feja, kombësia dhe përkatësia etnike nuk do të përcaktojnë nëse dikush ndihet i sigurt dhe anëtar i barabartë i komunitetit.

I pyetur se si e shikon ai memorandumin e nënshkruar nga Lëvizja Qytetare URA, Civis, Partia Popullore Socialiste dhe partitë e pakicave, Escobar tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë një qëndrim zyrtar mbi këtë marrëveshje politike”.

“Megjithatë, ne mbështesim ata që duan një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe demokratik, i cili është i pozicionuar në institucionet euroatlantike”, tha Escobar.

“Në Mal të Zi, si në vendet e tjera të rajonit, ne po shohim edhe një herë dëmin e shkaktuar nga aktorët që manipulojnë me cinizëm çështjet e identitetit për qëllimet e tyre”, përfundoi Escobar, duke shtuar se ”SHBA është e gatshme të mbështesë Malin e Zi”.