Bota SHBA paralajmëron Maduron: I kundërpërgjigjemi çdo kërcënimi

SHBA paralajmëron Maduron: I kundërpërgjigjemi çdo kërcënimi

Shtëpia e Bardhë do t’i përgjigjet çdo kërcënimi ndaj diplomatëve amerikanë dhe liderit të opozitës Huan Gaido në Venezuelë, të cilin SHBA dhe shumë vende të botës e kanë njohur si president të vendit. Këshilltari për sigurinë i Presidentit Trump, John Bolton paralajmëron në “Twitter” se çdo intimidim ndaj tyre do të jetë një sulm ndaj sundimit të ligjit.

Huan Gaido që e shpalli veten president më 23 janar dhe u njoh nga mëse 20 shtete si i tillë, ka thirrur protesta popullore për të rrëzuar presidentin Nikolas Maduro, i cili ishte betuar për herë të dytë në këtë post pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita dhe akuzave për vjedhje votash.

Disa shtete europiane i dhanë një ultimatum Maduros se do ta njohin si president Huan Gaidion nëse nuk zhvillon zgjedhje të reja në Venezuelë.

Ultimatumi u hodh poshtë nga Maduro. Ndërsa hedh poshtë kërkesat europiane duke i cilësuar arrogante, Maduro po përpiqet për pajtim me presidentin amerikan që në fakt e ndëshkoi i pari.

“I kam dërguar shumë mesazhe, por ai na përçmon ne”, thotë Maduro, i cili javën e kaluar ndërpreu marrëdhëniet me Uashingtonin për shkak se SHBA mbështeti liderin e opozitës.