Bota SHBA paralajmëron Moskën që të ndalë aktet “frikësuese” ndaj Ukrainës

SHBA paralajmëron Moskën që të ndalë aktet “frikësuese” ndaj Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi të enjten Moskën se po grumbullon trupa në kufirin mes dy vendeve. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë të ndalë aktet “frikësuese” ndaj Ukrainës.

Kievi është mbërthyer që në 2014 në konflikt me separatistë të mbështetur nga Moska dhe këtë javë zyrtarët ukrainas njoftuan aktivitete të trupave ruse në territorin e aneksuar të Krimesë si dhe në zonën kufitare pranë rajoneve të kontrolluara nga separatistët pro-rusë.

Të enjten, kabineti i Presidentit Zelensky diskutoi situatën me aleatët perëndimorë, përfshirë shefin e Pentagonit, Lloyd Austin.

“Manovrat ushtarake me qëllimin për të treguar forcën dhe provokimet e mundshme në zonën kufitare janë lojëra tradicionale ruse”, tha zoti Zelensky përmes një deklarate.

Ai e akuzoi Moskën se po përpiqet të krijojë “një atmosferë frike”, ndërkohë që Kievi shpreson që të rifillojë armëpushimin e arritur vjet.

Departamenti i Shtetit tha se është “absolutisht i shqetësuar nga shkallëzimi i tensioneve nga pala ruse dhe nga veprimet provokuese në Ukrainën lindore”.

“Veprimet që kundërshtojmë janë aktet agresive që kanë për synim frikësimin apo kërcënimet ndaj partneres sonë, Ukrainës”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price në komentet për gazetarët.

Disa vëzhgues e shohin shtimin e pranisë ushtarake si një provë për administratën e Presidentit Biden, i cili shkaktoi reagime të forta në Moskë muajin e kaluar kur e cilësoi udhëheqësin rus, Putin “vrasës”.

Këtë javë, Moska dhe Kievi shkëmbyen akuza për dhunën mes forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Kremlini në Ukrainën lindore, gjë që minoi armëpushimin.

Presidenti Zelensky tha se 20 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe 57 janë plagosur që nga fillimi i vitit.

Gati për ofensivë

Të enjten, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin i telefonoi homologut ukrainas, Andriy Taran, njoftoi ministria ukrainase e mbrojtjes.

Sipas ministrisë, Sekretari Austin tha gjatë telefonatës se Uashingtoni “nuk do ta braktisë Ukrainën nëse vazhdon të shkallëzohet agresioni rus”.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, nga ana e tij e diskutoi “acarimin e situatës nga Federata Ruse” me homologun kanadez, Marc Garneau.

Shërbimet ukrainase të zbulimit akuzuan Rusinë se po përpiqet të “zgjerojë praninë ushtarake” në zonat e kontrolluara nga separatistët në rajonet e Donetskut and Luhanskut.

Shërbimet e zbulimit, në një deklaratë, thanë se “nuk përjashtojnë mundësinë” e një përpjekjeje nga ana e forcave ruse për “t’u futur më thellë në territor ukrainas”.

Një zyrtar i lartë ukrainas, në komente me kusht që të mos identifikohej me emër, ngriti pretendimin se ushtria ruse po praktikonte “koordinim ushtarak” me separatistët.

“Nga mesi i prillit, njësitë e tyre luftarake do të jenë gati për ofensivë”, tha ai për Agjencinë Franceze të Lajmeve, AFP.

Perëndimi “nuk duhet të shqetësohet”

Moska ka përgënjeshtruar në mënyrë të përsëritur njoftimet se po dërgon përforcime në kufi dhe se po u dërgon armatime separatistëve.

Zëdhënësi i Presidentit Putin, Dmitri Peskov tha të enjten se Moska ka të drejtën të lëvizë trupat nëpër territorin e saj.

Zoti Peskov shtoi se “askush nuk ka përse shqetësohet sepse nuk përbën kërcënim për askënd”.

Të mërkurën, Pentagoni tha se forcat amerikane në Evropë u vunë në gjendje më të lartë gatishmërie pas “shkallëzimit të situatës nga rusët në Ukrainën Lindore”.

Gjenerali Mark Milley, shef i Shtatmadhorisë amerikane, foli me homologët rus e ukrainas, Valeri Gerasimov dhe Ruslan Khomchak.

Zoti Khomchak tha këtë javë se 28,000 luftëtarë separatistë dhe “mbi 2000 këshilltarë dhe instruktorë ushtarakë rusë” ndodhen aktualisht në Ukrainën Lindore.

Të enjten, zëvendës shefi i personelit në zyrën e zotit Zelensky, Roman Mashovets, bëri thirrje për manovra të përbashkëta ushtarake me NATO-n, për të “ndihmuar për stabilizimin e situatës së sigurisë”.

Presidenti Zelensky u zgjodh në 2019 me premtimin për t’i dhënë fund konfliktit, por kritikët thonë se armëpushimi i paqëndrueshëm ka qenë e vetmja arritje e tij deri tani.

Konflikti ka shkaktuar deri tani mbi 13,000 të vdekur, sipas OKB.