Bota SHBA paralajmëron tarifa ndaj produkteve europiane

SHBA paralajmëron tarifa ndaj produkteve europiane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënuan të vendosin tarifa shtesa ndaj produkteve të vendeve të Bashkimit Europian, me vlerë prej 4 miliardë dollarësh, në shenjë hakmarrje për subvencionimin e avionëve europianë. Sipas një liste të publikuar nga zyra amerikane e tregtisë, mes produkteve të Bashkimit Europian që do të tarifohen janë ullinjtë, qumështi, kafeja, mishi e disa lloj pijesh.

Në muajin prill, Uashingtoni akuzoi BE-në se po subvenciononte në mënyrë të paligjshme kompaninë Airbus, çka sipas tij ka ndikuar negativisht në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, administrata Trump kërcënoi të vendoste tarifa ndaj produkteve europiane me vlerë prej 11 miliardë dollarësh.

Blloku prej 28 anëtarësh u kundërpërgjigj duke publikuar një listë produktesh amerikane që do të tarifoheshin. Megjithatë të dyja palët thanë se tarifat përfundimtare do të vareshin nga vendimi i Organizatës Botërore të Tregtisë lidhur me rastin e subvencionimit të Airbus.